Trend i rënies së natalitetit, çfarë po e shkakton ndryshimin e strukturës së popullsisë në Kosovë?

Trendi në rënie i lindjeve dhe ai në rritje i migrimit të popullsisë mund të shkaktojnë ndryshime demografike në Kosovë.

Lajme

20/06/2022 16:02

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, që nga viti 2014, Kosova ka regjistruar rënie të natalitetit pothuajse për çdo vit.

Në vitin 2014, numri i lindjeve të gjalla ka qenë 25,929. Në vitin 2019 janë regjistruar 21,798 lindje të gjalla, ndërsa në vitin 2020 – 18,188. Rritje ka pasur vetëm vitin e kaluar, kur janë regjistruar 28,549.

Në anën tjetër, sipas një dokumenti të publikuar nga Autoriteti Qeveritar për Migrim, për periudhën 2018-2020, nga Kosova kanë emigruar 71,799 banorë.

Projeksioni i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitet 2011-2061 tregon se 2034-ta pritet të jetë viti kur Kosova do të fillojë të ballafaqohet me depopullimin si problem demografik, i cili nga dekada në dekadë do të thellohet vazhdimisht.

Ismet Arifi, një jurist 64-vjeçar, me prejardhje nga Podujeva, thotë se prindërit e gjeneratave më të reja dëshirojnë standard më të mirë për fëmijët e tyre.

“Mospunësimi… kërkojnë standard më të mirë… nuk mund t’ia plotësojnë kushtet”, janë arsyet që Arifi mendon se çojnë në më pak lindje.

Elmina Osmani, 42-vjeçare nga Prishtina, nënë e një fëmije 15 vjeç, thotë se faktorët e jashtëm e ndikojnë vendimin për të pasur shumë apo pak fëmijë.

“Pak është dinamizmi i jetës që ta imponon të mos kesh shumë fëmijë. Me kalimin e viteve e kam parë që për ta rritur një fëmijë mirë, duhet shumë mund”, thotë Elmina, me profesion gazetare.

Duke shtuar se nëna e saj ka lindur tre fëmijë, ajo thotë se ndihet e përmbushur vetëm me një.

Ekspertë të sociologjisë dhe antropologjisë e ndërlidhin rënien e natalitetit në Kosovë me, siç thonë, ndryshimet shoqërore dhe ekonomike që ka pësuar shoqëria, viteve të fundit.

Nita Luci, profesoreshë në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se siguria ekonomike dhe emancipimi i grave janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë vendimin e prindërve për të pasur më pak fëmijë.

Kosova, ndër vite, ka pasur natalitet të lartë dhe kjo ka ndodhur për shkak se “kemi qenë shoqëri më agrare; kjo ka ndikuar në mënyrën se si është strukturuar familja”, thotë Luci.

“Puna e grave në shtëpi është parë si diçka e natyrshme, ndërsa tani trajtohet ndryshe”, shton ajo.

Sipas Lucit, shoqëria sot është e orientuar drejt profitit, ndërsa është më i vështirë balancimi i të pasurit më shumë fëmijë me dy prindër që punojnë me orar të plotë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, niveli i papunësisë në Kosovë është mbi 25 për qind, ndërsa punësimi te gratë është rreth 15%.

Tahir Latifi, profesor në Departamentin e Antropologjisë, thotë se transformimet shoqërore, ekonomike dhe politike të pasluftës së vitit 1998-99 “natyrshëm kanë prekur edhe strukturën e familjes, e si rrjedhojë edhe tranzicionin demografik”.

“Brezi i tanishëm, garantimin e një mirëqenieje të mirë nuk e sheh më nga numri i fëmijëve që lind, por nga krijimi i kushteve sa më të mira për një edukim dhe shkollim sa më kualitativ, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës”, thotë Latifi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se në Kosovë nevojiten politika sociale që promovojnë amësinë, të ndërlidhura me punësimin, respektivisht që “nuk e rrezikojnë karrierën e grave”.

Sipas demografes Mimoza Dushi, rënia e numrit të lindjeve është trend normal përballë zhvillimit shoqëror.

“Është shumë e vërtetë që shkalla e lindshmërisë ka filluar të bjerë në Kosovë, ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë”, thotë Dushi.

Ajo shton se ndryshimi i shkallës së natalitetit do të ketë ndikim në zhvillimin demografik të Kosovës.

“Do të rritet mosha mesatare e popullsisë dhe në një të ardhme do të rritet shkalla e moshës demografike. Por, e gjitha është në përputhje me faktorët dhe zhvillimet [shoqërore]. E ndikojnë dhe e zhvillojnë njëra-tjetrën”, thotë Dushi.

Popullsia e Kosovës, aktualisht, konsiderohet si relativisht e re – me një moshë mesatare prej 35 vjeç.

Sipas shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në janar të vitit 2021, popullsia e përgjithshme rezidente në Kosovë ka qenë 1,798,188 banorë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në periudhën 2013-2017, mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës.

Sipas një hulumtimi të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), të publikuar në vitin 2021, emigrimin e kanë shkaktuar kryesisht kushtet ekonomike.

“Shkaktarët kryesorë, të cilët kanë detyruar popullsinë të emigrojë, ishin dhe mbeten: niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, shkatërrimet nga luftërat, si dhe situata jo e favorshme politike”, thuhet në hulumtim.

Sipas këtij hulumtimi, që bazohet në projeksionet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për periudhën 2011-2061, e vetmja kategori e popullsisë që do të ketë rritje të vazhdueshme në Kosovë, do të jetë grup-mosha mbi 60 vjeç.

“Në raport me vitin 2011, në vitin 2031 kjo grup-moshë do të rritet për 185,197 persona (109.1%), që do të thotë se do të dyfishohet”, thuhet në hulumtim.

Sipas INDEP-it, situata me rënien dhe plakjen e popullsisë “është aq e pafavorshme saqë mund të përcaktohet edhe si krizë demografike”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri mesatar i një ekonomie familjare në nivel vendi ka qenë 5.9 banorë.