Tregu i hapur për energji shqetëson bizneset, Rizvanolli thotë se do t’i përkrahin ato me skema mbështetëse
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë sot pjesë në një diskutim të Organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku është folur për të shqyrtuar mundësitë, implikimet, dhe ndryshimet potenciale që sjellë kalimi i Kosovës në tregun e lirë të energjisë. Në komunikatën e dërguar për media, theksohet shqetësimi që kanë bizneset për këtë gjë, në…

Lajme
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë sot pjesë në një diskutim të Organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku është folur për të shqyrtuar mundësitë, implikimet, dhe ndryshimet potenciale që sjellë kalimi i Kosovës në tregun e lirë të energjisë.
Në komunikatën e dërguar për media, theksohet shqetësimi që kanë bizneset për këtë gjë, në lidhje me rritjen e kostove të prodhimit dhe ndikimit të konkurrueshmërisë e tyre.
Në këtë organizim, Rizvanolli ka deklaruar se janë në proces të një skeme mbështetëse për bizneset që do të dalin në treg të hapur, gjë që do të jetë në përkrahjen e tyre për të investuar në efiçiencë dhe burime të ripërtëritshme për të ulur konsumin e energjisë.
Komunikata:
Prishtinë, 26 Mars 2025
Organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK)—mbështetur nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (me mbështetjen e SECO e Shtetit Zviceran dhe BERZH-i)—diskutimi i hapur mblodhi kryesues të bizneseve nga sektorë të ndryshëm, dhe institucioneve të vendit për të shqyrtuar mundësitë, implikimet, dhe ndryshimet potenciale që sjellë kalimi i Kosovës në tregun e lirë të energjisë.
Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga 1 Qershori 2025, Kosova do të kalojë në tregun e hapur të energjisë. Ky vendim detyron kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro të blejnë energji nga tregu i lirë. Si rrjedhojë, bizneset kanë shprehur shqetësime për rritjen e kostove të prodhimit dhe ndikimin në konkurrueshmërinë e tyre.
Ky diskutim shërbeu si platformë për të analizuar efektet dhe rezultatet e këtij tranzicioni, duke ofruar një kornizë më të qartë dhe të detajuar në lidhje me ndryshimet, shtresat të cilat preken nga këto ndryshime, si dhe përgaditja adekuate e bizneseve me hapa konkret.
Ngritja e mundshme e çmimeve të energjisë, ndikimi në konsumatorë, dhe mundësitë për negocimin e kontratave me furnizuesit e licencuar (përveç KESCO)—me theks të veçantë në bizneset prodhuese dhe sektorin e shërbimeve—qenë vetëm disa nga sfidat e shqyrtuara. Rrjedhimisht, u theksua edhe nevoja për mbështetje nga institucionet qendrore dhe lokale për bizneset e prekura nga ky ndryshim.
Si zgjidhje dhe hapa të domosdoshëm për qëndrueshmëri ekonomike, u konsideruan investimi në burime alternative dhe negocimi i kontratave afatgjata me furnizues për të siguruar stabilitetin e çmimeve si dhe uljen e varësisë nga tregu.
Diskutimi u hap nga znj. Greta Kazia, U.D. Drejtoreshë Ekzekutive e OEGJK, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli tha se tashmë janë në proces të një skeme mbështetëse për bizneset që do të dalin në treg të hapur, e që do të jetë në përkrahjen e tyre për të investuar në efiçiencë dhe burime të ripërtëritshme për të ulur konsumin e energjisë.
Paneli i diskutimit përfshiu Ymer Fejzullahun, Kryesues i Bordit të ZRRE, dhe Agron Demin nga Atlas Institute, ndërkaq diskutimi u moderua nga Uran Haxha, gazetar i specializuar në fushën e energjisë.
OEGJK zotohet se në vazhdimësi do të mbështesë bizneset, duke ofruar informacione dhe platforma të tilla diskutimi mbi tranzicionin energjetik.