Tregtia e jashtme gjatë muajit shkurt në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2025, ku theksohet se eksporti i mallrave kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 518,6 milionë euro, që është një rënie prej -4,3% për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import. Sipas ASK-së, deficit…

Lajme

24/03/2025 17:10

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2025, ku theksohet se eksporti i mallrave kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 518,6 milionë euro, që është një rënie prej -4,3% për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import.

Sipas ASK-së, deficit tregtar prej 13,6% në muajin shkurt 2025, krahasuar me shkurt 2024

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 13,6% në muajin shkurt 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 451,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 397,4 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,0%. Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2025 kishte vlerën 67,3 milionë euro, ndërsa importi 518,6 milionë euro, që është një rënie prej (-4,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj. Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 16,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 24,5 milionë euro, ose rreth 36,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Holanda (3,6%), Italia (3,5), etj.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 229,1 milionë euro, ose 44,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (6,4%), Greqia (3,3%), etj. Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,9 milionë euro, ose 43,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1,2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (15,0%), Serbia (5,7%), Mali i Zi (5,2%). Importet nga vendet e CEFTA-s, arritën në 83,4 milionë euro, ose 16,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (7,0%), Shqipëria (5,2%), Serbia (2,8%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,8 milionë euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe SHBA (2,5%).”, thuhet në njoftim.

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 206,1 milionë euro, ose 39,8%. ASK njofton se vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 13,5% dhe Kina me 9,9%.