Tregtarët ankohen se Dogana dhe ATK-ja po i “shtrydhin”

Tregtarët e Tregut me shumicë në Zonën Industriale të kryeqytetit vlerësojnë se Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë duke i ngufatur, dhe, siç shprehen ata, duke i shtrydhur.

Lajme

28/04/2014 18:08

Sipas tyre, kjo ngufatje bëhet nga ngritja e bazës doganore dhe tatimeve, dhe shtojnë se tregu me shumicë ka humbur mbi 50 % të konsumatorëve brenda një kohe shumë të shkurtër, raporton KosovaPress.

Madje, nga më shumë se 700 biznese të vogla,sa kanë qenë në këtë treg, mbi 300 prej tyre janë mbyllur, kurse ato që kanë mbetur të hapura janë të detyruara të ulin numrin e punëtorëve. Krejt këto i thanë gjatë një takimi me Agim Shahinin, kryetar i AKB-së.

Për këta tregtarë problem mbeten arkat fiskale, si dhe kontrolli i inspektorëve doganorë e tatimorë në këtë treg.

Arsim Rrahmani, pronar i kompanisë ‘Bini’ që merret me tekstil, tha se Qeveria e Dogana duhet t`i stimulojnë e jo t`i shtrydhin në mënyrë që të nxjerrin çdo gjë nga ta.

Sylejman Rrahmani, pronar i kompanisë ‘Risi’, që merret gjithashtu me tekstil, tha se tregtarët do të jenë të detyruar të gjejnë mënyra të tjera, të fusin mallin në mënyrë ilegale, për të mbijetuar.

“Me këto rritje, personalisht për veti po flas, pika e parë, nëse i kom tash për tash 9 punëtorë, më duhet t`i zvogëloj punëtorët në 4, po e them me sinqeritetin më të plotë, pa dashje, por nuk do të kem shanse për të vazhduar… me këto mundësi, unë nuk e di çfarë matematike janë duke bërë ata dhe çfarë vlerësimesh janë duke bërë ata në doganë, sepse nuk ka shans për të mbijetuar bizneset tona. Do të na duhet të gjejmë rrugë tjera, rrugë të fëlliqta, çfarë rrugësh? Të shkojmë në Serbi e ta shtimë mallin në të zezë. Do të jemi të detyruar”, tha ai.

Agim Shahini tha se të gjitha kërkesat dhe problemet e tregtarëve do t`i parashtrojë në këshillin konsultativ, këshill ky i cili është i formuar nga Dogana e Kosovës, ATK-ja dhe komuniteti i bizneseve.

“Qëllimi jonë është së pari prodhimin vendor ta mbrojmë dhe së dyti biznesin vendor. Ju 400 kompani, të cilat jeni këtu sot, dhe më shumë se 4,000 të tjera të cilat janë të lidhura me juve, që kanë mbi 1 mijë të punësuar, për juve kemi respekt të madh, ju e keni arritur me punën e juaj. Mbi 100 milionë qarkullim i juaj, kjo është për tu vlerësuar. Prandaj ju një nga një gjitha kërkesat e juaja që i keni të përmblidhen në një dokument, i cili dokument do të trajtohet brenda 2 ditëve. Dhe ky dokument do të tentojë të shkojë në duart e të gjitha atyre, që janë përgjegjës për ligjin, që janë përgjegjës për të krijuar lehtësira për biznes të Kosovës”, ka thënë Shahini.