Tre të akuzuar dënohen me 33 mijë euro gjobë pas marrëveshjes për pranim fajësie për kontrabandim me barna
Të akuzuarit për kontrabandim me mallra, Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler janë dënuar me 33 mijë euro gjobë (së bashku) pasi paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë. Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”. Kujtim…

Lajme
Të akuzuarit për kontrabandim me mallra, Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler janë dënuar me 33 mijë euro gjobë (së bashku) pasi paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kujtim Fetoshi u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim iu zëvendësua me 12 mijë euro gjobë, Abdullah Zeki Zerenler u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim iu zëvendësua me 15 mijë euro gjobë, kurse Atakan Zerenler u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua me 6 mijë euro gjobë.
Gjykatësi Ajvazi tha se në dënim të akuzuarve iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Sa i përket shpenzimeve procedurale, gjykatësi obligoi të akuzuarit që të paguajnë nga 200 euro secili, ndërsa nga 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave.
Po ashtu, në këtë rast është i akuzuar edhe Milan Niqiq, por i njëjti është deklaruar i pafajshëm dhe ndaj tij është bërë veçimi i procedurës penale.
Niqiq akuzohet se në cilësinë e doganierit në Aeroportin e Prishtinës lejoi tre të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler të kalojnë pa kontroll në shirtin e kontrollës, e të cilët po bartnin me vete valixhe me barna të kontrabanduara në vlerë rreth 150 mijë euro. Tre të akuzuarit më pas u ndaluan nga Policia e Kosovës, ku edhe iu gjetën barnat e kontrabanduara.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 26 gusht 2025, Milan Niqiq në cilësinë e doganierit në Doganën e Kosovës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke vepruar me dashje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore të tani të akuzuarve Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerenler dhe Atakan Zerenler, nuk i përmbush detyrat e tij si person zyrtar, ashtu që më 2 maj 2025 derisa ishte në vendin e tij të punës në shiritin hyrës tek kontrolla dhe verifikimi në Aeroportin e Prishtinës, nuk i ka ndaluar për kontroll të akuzuarit Fetoshi, Zeki Zerenler dhe Zerenler, të cilët vinin nga shteti i Turqisë e që kishin me vete 7 valixhe të mëdha dhe 3 valixhe të vogla, e që më pastaj kur janë ndaluar nga Policia e Kosovës në pikë kontrolli ka rezultuar se të gjitha valixhet ishin të mbushura me barna të kontrabanduara pa banderola, vlera e të cilave, sipas inspektorëve faramceutik ishte rreth 150 mijë euro.
Me këtë, Niqiq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me par.2 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Kujtim Fetoshi, Abdullah Zeki Zerelner dhe Atakan Zerelner, më 2 maj 2025, duke vepruar bashkëkryerje, duke kaluar vijën kufitare bartin mallra dhe shmangin kontrollin doganor, kryejnë barjten e mallrave dhe kalojnë vijën kufitare.
Aktakuza thotë se të akuzuarit pas marrëveshjes paraprake kishin ardhur nga shteti i Turqisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ku me vete kishin pasur valixhe të mbushura me produkte medicinale, duke kaluar pikën e kontrollit në Aeroportin e Prishtinës pa i deklaruar, ashtu që Policia e Kosovës, në fshatin Sllatinë ka ndaluar dy vetura me targa vendore, ku në veturën “Taxi” të tipit Audi A6, të cilën e drejtonte R.K., janë hasur disa valixhe të cilët kanë qenë të mbushura me barna të ndryshme, ndërsa në veturën tjetër të tipit “Touran” në të cilën ka qenë tre të akuzuarit, janë gjetur një sasi tjetër e barnave të ndryshme të vendosura në valixhe, për të cilat të akuzuarit nuk kanë pasur dokumentacione të nevojshme për transportimin e tyre dhe të njëjtat kanë qenë pa banderola, gjë që dokumentacioni që dëshmon cilësinë dhe prejardhjen e tyre është obligim për futje të barnave në Republikën e Kosovës.
Me këtë, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311, par.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.