Tre policët e arrestuar në Klinë ndalohen për 48 orë, IPK dhe Prokuroria nisin hetimet rreth rastit
Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës pas grumbullimit dhe analizave të provave kanë arrestuar tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe keqtrajtim fizik të një qytetari gjatë arrestimi të tij. Në bazë të njoftimit zyrtar thuhet se dyshohet se zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar fizikisht qytetarin…

Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës pas grumbullimit dhe analizave të provave kanë arrestuar tre zyrtarë policorë të cilët dyshohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe keqtrajtim fizik të një qytetari gjatë arrestimi të tij.
Në bazë të njoftimit zyrtar thuhet se dyshohet se zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar fizikisht qytetarin edhe pse ky i fundit ka qenë i prangosur në momentin e incidentit.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre zyrtarëve policorë është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimi të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjtit ishte i prangosur.Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Lajmi.net mëson se të pandehurit në këtë rast janë zyrtarët policorë: Nezir Gashi, Enis Elezaj dhe Shkëlqim Saliaj.
Kurse sot zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi është deklaruar para mediave në lidhje me rastin.
Nikçi njoftoi se me datë 28 qershor një patrullë policorë ka shkuar në Klinë për të arrestuar një person të dyshimtë me veprën penale “Kanosja” dhe gjatë arrestimit personi në fjalë është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.
“Në koordinim të plotë me Inspektorati policor janë grumbulluar provat dhe pas analizimit të provave, Prokurori ka parë se ka elemente të veprës penale të keqtrajtimit fizik. Është ushtruar dhunë fizike ndaj personit të pandehur. Të njëjtit sot janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë”, theksoi Nikçi.
Ai tha se çdo veprim hetimor do të bëhet në koordinim të plotë me Inspektoratin Policor.
Viktima në këtë rast fillimisht është liruar pasi që ishte i ndaluar, por pasi që është kuptuar se ka qenë i keqtrajtuar është intervistuar edhe një herë në cilësinë e viktimës./Lajmi.net/