Tre persona të vrarë brenda dy ditëve në Vushtrri – Krejt çka dihet për dy vrasjet që tronditën Kosovën

Kosova është tronditur në 24 orët e fundit, si pasojë e dy vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në Vushtrri. Nga këto vrasje, tre persona kanë humbur jetën, një 19 vjeçar, një grua 42 vjeçare dhe një burrë i moshës 58 vjeçare. Mbrëmë rreth orës 20:35 minuta, në rrugën “Galip Badivuku” në qytetin e Vushtrrisë,…

Lajme

24/03/2025 21:01

Kosova është tronditur në 24 orët e fundit, si pasojë e dy vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në Vushtrri.

Nga këto vrasje, tre persona kanë humbur jetën, një 19 vjeçar, një grua 42 vjeçare dhe një burrë i moshës 58 vjeçare.

Mbrëmë rreth orës 20:35 minuta, në rrugën “Galip Badivuku” në qytetin e Vushtrrisë, një 19 vjeçar me inicialet A.Z ka gjetur vdekjen si pasojë e tre plumbave që ka marrë nga bashkëmoshatari i tij, me inicialet B.D.

Lajmin mbrëmë e pati konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 20:35 min policia  ka pranuar informatën për  të  shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja  ka ndodhur në  rrugën ” Galip Badivuku” ne Vushtrri. Nga hetimet fillestare behet e ditur se si pasojë  e plagëve të  pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar. Njësitet përkatëse policore ndodhen ne vendin e ngjarjes dhe janë  në  kërkim  të  personit të  dyshuar”, ka thënë Zahiti për lajmi.net.

Detaje në lidhje me rastin, sot ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë të cilët kanë kërkuar paraburgimin e 19 vjeçarit, B.D.

“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë.

I pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë.

Sot, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është mbajtur seanca e parë ku i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj, të dyshuarit B.D, shkruan lajmi.net.

“Masa e paraburgim të pandehurit B.D., i’u është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ende pa kaluar 24 orë, dy persona ndërruan jetë pasi u goditën nga plumbat,

Një person me inicialet A.M, i moshës 58 vjeçare fillimisht ka vrarë një grua me inicialet N.H të moshës 42 vjeçare e më pas edhe veten.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për lajmi.net se trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion ndërsa po vazhdojnë hetimet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vetëvrasje”.

“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc  të Vushtrrisë.  Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes  dyshohet se kryesi i veprës,  dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H.,  e më pas  i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Në cilësi të provave  materiale  në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë .  Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e  pajetë dërgohen   në  Institutin e Mjekësisë Ligjore  për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë  hetimet për  veprat penale ” Vrasje  e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti për lajmi.net.

Në lidhje me rastin, janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë të cilët deklaruan se po intervistohen dëshmitarët.

“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Lajmi.net ka qëndruar sot në vendin e ngjarjes, aty ku për media është deklaruar edhe një familjar i viktimës, shkruan lajmi.net.

Rrahim Ajeti, familjar i së ndjerës ka thënë se viktima ka qenë e moshës rreth 40 vjeçare, dhe se nuk ishin burrë e grua me të dyshuarin për vrasje.

Ajeti ka thënë se ajo dhe burri i saj kanë punuar më parë tek biznesi i të dyshuarit për vrasjen.

“Nuk ka pas probleme, ka qenë grua shembullore. Dhashtë Zoti që kjo të jetë viktima e fundit. Kanë punu para një kohe me bashkëshortin. Sipas një informate jo fortë zyrtare është xhelozia, pse ke shku me punu diku tjetër e ke lan te unë”, ka thënë Ajeti para mediave.

Dy rastet e fundit të vrasjeve në qytetin e Vushtrrisë kanë tronditur vendin si dhe kanë ngritur alarmin për institucionet e rendit.

Ndonëse ende nuk dihen detajet e plota për motivet e këtyre akteve të rënda kriminale, organet e rendit po vazhdojnë hetimet dhe punën për të siguruar stabilitetin dhe qetësinë në këtë zonë. /Lajmi.net/