Tre njësi jashtë sistemit në KEK, kolapsi i radhës nën udhëheqjen e Gramos Hashanit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po përballet me një tjetër valë mosfunksionimi dhe rrëmuje teknike, duke e vendosur për të disatën herë këtë vit furnizimin me energji elektrike në prag të kolapsit. Sipas një komunikate zyrtare të lëshuar të 19 qershorit, njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar,…

Lajme

19/06/2025 16:49

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po përballet me një tjetër valë mosfunksionimi dhe rrëmuje teknike, duke e vendosur për të disatën herë këtë vit furnizimin me energji elektrike në prag të kolapsit.

Sipas një komunikate zyrtare të lëshuar të 19 qershorit, njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar, për shkak të një “reagimi të sistemit mbrojtës të gjeneratorit” pas luhatjeve në rrjetin elektrik.

Edhe njësia A5 është ndalur pas detektimit të një humbjeje të ujit në kaldajë, ndërsa njësia A4 ndodhet jashtë funksioni që nga mesi i majit.

Kësisoj, tri njësi prodhuese të rëndësishme të KEK-ut ndodhen jashtë sistemit njëkohësisht, çka e përbën një nga situatat më të rënda të muajve të fundit.

Reagimi i plotë i KEK-ut:

Kush është Gramos Hashani dhe cilat janë lidhjet e tij me pushtetin aktual? 

Gjatë këtij viti, Gramos Hashani u emërua u.d i kryeshefit të KEK-ut.

Nga politikat lokale në krye të sektorit energjetik të Kosovës. Hashani në vitin 2019 ishte kryetar i një nën dege të AAK-së në qytetin e Obiliqit.

Shihet nga rrjetet sociale që Hashani ka raporte të afërta me sekretarin e KEK, Alban Krasniqi si dhe me Valon Prebrezen, aktivistin e Vetëvendosjes që drejton Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), i njohur për ndikimin e tij në punësimet dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore.

(Foto: Gramos Hashani, Alban Krasniqi, Valon Prebreza)

Rryma u shtrenjtua këtë vit 

Zyra Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), më 16 prill kishte miratuar tarifat e reja energjetike, të cilat janë shtrenjtuar për 16.1 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Tarifat e reja hynë në fuqi nga data 1 maj.

Sipas tarifave të reja, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji do të paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht.

Ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, kilovati do të kushtojë 15.43 centë nga 13.29 sa është aktualisht.

Ylber Batalli është zgjedhur kryeshef i ri i KEK-ut nga bordi drejtues. Bordi i KEK-ut e ka vlerësuar Batallin me pikët maksimale gjatë procesit të përzgjedhjes, mirëpo emri i tij ende nuk është shpallur publikisht për shkak të afatit ligjor për ankesa. /lajmi.net/