Tre fëmijë dorëzojnë në polici dokumente dhe 614 euro të gjetura në Ferizaj
Tre fëmijë nxënës të një shkolle në Ferizaj kanë dorëzuar në polici një portofol të gjetur në rrugë, brenda së cilit ishin me 614 euro dhe dokumente. “Me datën 18.11.2025 rreth orës 12:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili ka sjellë një portofol të gjetur nga tre fëmijët R.T…
Lajme
Tre fëmijë nxënës të një shkolle në Ferizaj kanë dorëzuar në polici një portofol të gjetur në rrugë, brenda së cilit ishin me 614 euro dhe dokumente.
“Me datën 18.11.2025 rreth orës 12:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili ka sjellë një portofol të gjetur nga tre fëmijët R.T (12 vjeçe), A.T (11 vjeç) dhe D.T (11 vjeç), nxënës të një shkolle në Ferizaj. Portofoli ishte gjetur në një rrugë të qytetit. Brenda në portofol janë gjetur dokumente personale dhe 614 euro. Pas verifikimeve, policia ka arritur të identifikojë pronaren, B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se të gjitha dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer me procesverbal zyrtar”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Në njoftim thuhet se pronarja ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të sinqertë ndaj tre fëmijëve dhe familjes së tyre për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin dhe bashkëpunimin.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon publikisht fëmijët R.T, A.T dhe D.T për veprimin e tyre human, edukativ dhe shembullor, që pasqyron vlera të larta morale, familjare dhe qytetare. Ky gjest mbetet një shembull frymëzues për të gjithë fëmijët dhe qytetarët tanë mbi ndershmërinë dhe përgjegjësinë shoqërore”, thuhet në njoftim. .