Të Infektuar: 19.328

Të Shëruar: 15.434

Të Vdekur: 678

Tre anëtarë të një familje nga Kosova vdesin në aksident trafiku në Gjermani

22:58 | 16 Tetor 2020

Tre anëtarë të një familje nga Kosova kanë humbur jetën në Gjermani sot në një aksident trafiku.

Ata ishin duke u kthyer nga Kosova ku kaluan pushimet e që synim kishin Zvicrën.

Aksidenti ndodhi në autostradën federale 31, midis lokaliteteve Uhldingen-Mühlhofen dhe Meersburg, trafiku mes një makine Audi dhe një kamioni. Ngjarja ka ndodhur në mëngjes, pak para orës 09:00, shkruajnë mediat gjermane.

Albinfo.ch merr vesh nga burimet e saj, familjarë të viktimave, se bëhet fjalë për një familje nga fshati Rahovicë e Ferizajt. Ata po ktheheshin në Zvicër nga pushimet që i kishin kaluar në Kosovë.

Aksidenti ka ndodhur në Gjermani, rreth 50 kilometra para hyrjes në territorin e Zvicrës.

Sipas hetimeve të para policore, makina ka rrëshqitur dhe është përplasur ballë për ballë me kamionin që po afrohej.

Tre persona janë bllokuar në automjetin e aksidentit dhe është dashur të lirohen nga brigada e zjarrfikësve e cila ka përdorur pajisjet hidraulike të shpëtimit, transmeton albinfo.ch.

Një djalë 12 vjeç dhe një burrë 35 vjeçar kanë vdekur në vendin e aksidentit nga plagët e rënda të pësuara, përcjell albinfo.ch. Personi i tretë, pasagjeri 18 vjeçar ka vdekur pak më vonë në spitalin në të cilin ishte dërguar me helikopter shpëtimi.

Gruaja e 35 vjeçarit, është në gjendje kome.

Një vajzë 11-vjeçare dhe shoferi i makinës Audi kanë pësuar lëndme të rënda.

Drejtuesi i kamionit është lënduar lehtë. Rruga federale është mbyllur për orë të tëra gjatë punës së shpëtimit dhe hetimeve rreth aksidentit.