Tranzicioni i Perëndimit

Bashkim Evropian, sot ka fuqinë më të vogël të mundshme politike, për të qenë lehtësues a ndërmjetësues në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

27/06/2018 09:50

Duket që është kohë e lajmesh të këqija në politikë, duke përfshirë këtu politikën ndërkombëtare. Ndërsa pakkush ka vullnet këndejpari, dhe jo vetëm këtu, të mirret me to.
Lajmi i parë i keq është që Perëndimi është në tranzicion. Një koncept politik që ka qenë ‘nëna e të gjitha koncepteve’ në përshkrim të proceseve të cilat kanë karakterizuar ish-Lindjen komuniste, që prej vitit 1990 e këndej, me qëllim të vetëm që në fund të tij të bëhet integrimi i plotë i ish-shteteve komuniste në Paktin NATO dhe në BE, tani ka vlerë të qind për qind në Perëndim.
Kush mund sot, tek e fundit, ta definojë çka është politikisht Perëndimi? A ka, në aspektin politik, më Perëndim të bashkuar, apo, marrëdhëniet në mes të SHBA-së së sotme dhe BE-së, SHBA-së dhe Paktit NATO, kanë mbërri në një stad që gjithsesi shfaq paqartësitë dhe pasiguritë e shumta, për të ardhmen e këtyre relacioneve, dhe për identitetin politik të Perëndimit, tash e tutje.
Ky zatën është lajmi i dytë i keq që mund të kuptohet për çdo ditë, gjithnjë e më shumë. Pra, jo vetëm që Perëndimi, veç e veç (si SHBA, si Britani e Madhe, pas Brexitit, si BE, si Pakti NATO), dhe në tërësinë e tij, është në tranzicion, por, për më tepër, mbase askush edhe në qarqet më të larta politike në kryeqendrat e mëdha perëndimore, dhe as në ato që njohin mendjet më të ndritura andejpari, nuk di se kah do të shkojë dhe ku do të mbërri ky tranzicion: Në një BE me dy shpejtësi? Në një raport edhe më kundërthënës, edhe më problematik në mes të SHBA-së dhe BE-së? Në një Ushtri Evropiane që do ta zëvëndësojë Paktin NATO?
Në fakt, po mos të ishte ai armiku i stërmoçëm në trajtë të Federatës së Rusisë së Vlladimir Putinit, vështirë që do të mund të gjindej një emërues i vetëm i përbashkët politik në Perëndimin e sotëm. Tjetër emërues është frika, prej gjithçkafes dhe prej çdo gjësë: Duke u nisë këtu prej migrantëve, refugjatëve dhe ikanakëve të luftës, të cilët u bënë burimi kryesor i popullizmit në gjithë Perëndimin.
Lajmi tjetër i keq ka origjinë vendore dhe rajonale, dhe është i vjetër, sa edhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe fundi i Komunizmit: Ballkani Perëndimor është një rrëfim i pakryer politik dhe qyterërues, dhe brenda tij, Kosova, gjithashtu, si shteti më i ri evropian, nuk ka rrumbullakësuar shtetësinë e vet, as brenda vetes, dhe as në rrafshin ndërkombëtarë. Nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në këto anë, nuk mund të ketë as qëndrueshmëri afatgjatë të Kosovës, pa kryer ndërmarrjen kapitale të ingerimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në Paktin NATO  (pos Serbisë, në këtë rastin e dytë).
Ndërsa ato dy lajmet e para të këqija, mëdyshin identitetin e ardhshëm Evropian dhe Perëndimor.
Thuaja si asnjëherë më parë pra, Ballkanit Perëndimor i duhet përkrahja e Brukselit, si kurrë më parë, ky Bruksel nuk di çka do të bëjë me veten, e rrjedhimisht, edhe me partnerët e tij të ardhshëm në BE dhe në Paktin NATO.
Të gjitha këto çka u thanë deri tash, shfaqen, mbase, në mënyrën më të qartë të mundshme, me vendimin e Brulkselit që negociatat për inkuadrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, të nisin në qershorin e vitit të ardhshëm, apo, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Atëherë pra, kur do të mirret vesh konfiguracioni i ri politik në Evropë, kur ndoshta do të kuptohet më shumë edhe kah do ta çojë Evropën dhe Perëndimin tranzicioni historik dhe politik, atëherë, ndoshta edhe do të mund të nisin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ky propozim është realisht, pak për këto dy shtete, dhe shumë për këtë BE-në e sotme.
Kjo BE, në anën tjetër, nuk mund të ofrojë kurfarë garancash Kosovës që njëmend, deri në fund të vitit, qytetarët e saj të dërrmuar me të gjitha lojërat e mundshme politike vendore dhe ndërkombëtare, do të mund njëmend të udhëtojnë pa viza në Evropë.
Më në fund, ky Bashkim Evropian, sot ka fuqinë më të vogël të mundshme politike, për të qenë lehtësues a ndërmjetësues në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili ka hyrë në fazën e tij kur ose do të konkludohet me një Marrëveshje historike, ose me një dështim të madh politik.
(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)