Transporti i të burgosurve gabon orën e sjelljes së të akuzuarit, dështon seanca për vrasjen në Hajvali
Transporti i të burgosurve ka gabuar orën e sjelljes së Shkumbin Kryeziut i cili akuzohet për vrasjen në Hajvali, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së rigjykimit të enjten. Paraprakisht, gjykatësi i rastit Ertan Sejfulla bëri të ditur se transporti kishin gabuar orarin e sjelljes së të akuzuarit, duke i thënë se për 40 minuta mund ta sjellin, raporton “Betimi për Drejtësi”.…

Lajme
Transporti i të burgosurve ka gabuar orën e sjelljes së Shkumbin Kryeziut i cili akuzohet për vrasjen në Hajvali, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së rigjykimit të enjten.
Paraprakisht, gjykatësi i rastit Ertan Sejfulla bëri të ditur se transporti kishin gabuar orarin e sjelljes së të akuzuarit, duke i thënë se për 40 minuta mund ta sjellin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, gjykatësi sqaroi se meqenëse është orari i pauzës dhe se në sesionin e pasdites ka gjykim tjetër të planifikuar, seancën e shtyu për datë tjetër.
Ndryshe, prezent në gjykim ishin prokurori i shtetit, Arben Hoti, pala e dëmtuar- gjyshi i të ndjerit, V.Xh, Faik Xhemshiti, përfaqësuesja i viktimave- Mema Mjeku, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Florent Latifaj.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar me datë 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet edhe një herë nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi të bëhet i njëjti.
Ndryshe, për veprën penale mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, Kryeziu kishte pranuar fajësinë me 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar.
Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor të vitit 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Në aktakuzës thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh, në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre duke i rënë rrugës më të shkurtë në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku te oborri i shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh me falët “çka po më kqyr”.
Ndërsa tani i ndjeri V.Xh, thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metra, dhe të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh “ik se ka thikë” dhe në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin A.K e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli, ku i njëjti është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin me të miturin A., kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., që të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.XH me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V., mirëpo ata kanë vazhduar që ta ndjekin dhe derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim duke i thënë “Ik se ta bajna ma zi se atina”.
Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur kur përnjëherë ishte rrëzuar për toke dhe ka qenë i tërë i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën” e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K., ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrim “Leatherman Sidekick” të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin nën 1 të aktakuzës dhe të cilën policia e kanë gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.
Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK –së.