Transferimi i majorit që nisi hetimet ndaj Martin Berishajt, Hoxha: S’ka pasur presion, nuk i shikojmë emrat

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ish-Shefin e Task-Forcës Antikorrupsion, Shemsi Hazirn e ka transferuar në pozitën e zëvendësdrejtorit të hetimit të drogave. Këtë përgjigje Hoxha e ka dhënë të premten teksa ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës. “Shemsi Hazirin e kam transferuar…

Lajme

10/05/2024 13:31

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se ish-Shefin e Task-Forcës Antikorrupsion, Shemsi Hazirn e ka transferuar në pozitën e zëvendësdrejtorit të hetimit të drogave.

Këtë përgjigje Hoxha e ka dhënë të premten teksa ka raportuar para deputetëve të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës.

“Shemsi Hazirin e kam transferuar unë. E kam transferuar në kuadër të reformave të mëdha që i kemi bërë në kuadër të Departamentit të Hetimeve. Shemsiu mbetet një epror i vyeshëm i Policisë. Ne e kemi caktu te pozicionin i zëvendësdrejtorit të hetimit të drogave. Ne vlerësojmë se atje do të japë një kontribute të mirë”, ka thënë drejtori i Policisë.

Ai ka thënë se asnjë lëvizje nuk është bërë për të mbrojtur apo ndjekur dikë.

“Nuk merrem me emra se kush hetohet. Ne nuk i shikojmë emrat se kush hetohet. E dyta, udhëheqës i hetimeve është prokurori”, ka shtuar ai.

Hoxha ka mohuar se ka pasur presion dhe largime apo transferime pas ndërrimit të pozitës së Shemsi Hazirit.

“Unë mundem me thanë që nga cilësia e drejtorit të Policisë njoftoj se nga kjo Njësi nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici përveç Shemsi Hazirit, që është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qëllim të arritjes së vizionit dhe në zbatim të strukturës së re organizative me qëllimin e vetëm për të rritur efikasitetin në Policinë e Kosovës”, tha Hoxha.

Ai ka thënë se me strukturën e re po planifikojnë të bëjnë sistemime të policëve derisa ka mohuar mundësinë që dikush të ketë pasur presion prej hetuesve për të dhenë dorëheqje.

“Asnjë polic nuk është larguar pa kërkesën e tyre dhe pa epror. Jo nuk kanë pasur presion, të garantoj”, ka deklaruar ai.

“Këta katër janë larguar me vullnetin e tyre, as nuk ka listë të largimit të tyre”, ka shtuar ai.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 15 korrik 2023 se Task Forca Anti-korrupsion e Majorit Shemsi Haziri e kishte inicuar vetë rastin ndaj Martin Berishajt, të cilit edhe i kanë ngritur kallëzim penal nën dyshimin për shmangie tatimi, më pas hetimit janë zgjeruar edhe për shpërlarje të parave.

Drejtori i Policisë ka konfirmuar se s’ka informacione të sakta se çka ka ndodhur në Blinajë mes Shemsi Hazirit dhe ministrit Xhelal Sveçla në një takim për luftën kundër terrorizmit.

Po ashtu, në korrik 2023, “Betimi për Drejtësi” pati raportuar se prokurorët special kishin nisur t’i tërhiqnin lëndët nga Task-Forca Antikorrupsion pas largimit të Shemsi Hazirit nga udhëheqja e kësaj njësia.

Në korrik të vitit të kaluar Shemsi Haziri ishte shkarkuar nga pozita e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve (ish-Task Forcës kundër korrupsion), brenda Policisë së Kosovës.

Edhe në raportin e fundit të Freedom House, është përmendur largimi i Shemsi Hazirit nga pozita e Shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës.