Traktori i vjedhur në luftë gjendet tek një serb në Zubin Potok

Policia e Pejës njofton se ka gjetur traktorin e vjedhur në vitin 1999. Vjedhja e traktorit ishte raportuar më 27 korrik të vitit 2016 nga shtetasi Sh.A nga fshati Suhogërllë e Istogut.

Lajme

02/03/2017 16:08

Pas raportimit njësite e hetimeve pranë stacionit policor në Istog në bashkëpunim me prokurorin e rastit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore e që ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e traktorin e llojit IMT 540 i vjedhur në vitin 1999.

Pas një pune intensive operativo-hetimore, hetuesit policorë kanë arritur që të identifikojnë dhe gjejnë mjetin për të cilin kishte raportuar viktima dhe i njëjti është gjetur në qytetin e Zubin Potokut.

Me këtë rast është identifikuar i dyshuari me iniciale: Dj.M. shtetas i Kosovës i përkatësisë serbe i lindur në vitin 1960 dhe ndaj tij është parashtruar kallëzim penal për vepër penale të vjedhjes së rëndë.

Traktori është konfiskuar dhe pas verifikimit të numrave të shasisë, i është kthyer pronarit.

Rasti i kompletuar është proceduar në Prokurorinë e shtetit për tu ndërmarrë masat e mëtejmë ligjore.