Trajtimi i ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale

Kohëve të fundit, shoqëria në Kosovë është përfshirë nga një sërë krizash sociale për të cilat mund të thuhet që po e degradojnë edhe jetën e përditshme.

Lajme

03/03/2019 19:36

Pothuajse çdo ditë në media mund të hasim të tilla lajme që tregojnë për raste të rrahjeve, vrasjeve, dhunimeve, abuzimeve e ngacmimeve seksuale.

Fenomeni i ngacmimeve seksuale është jashtëzakonisht i përhapur, në rrugë, në kafene, në shkolla dhe kudo tjetër.

Në lidhje me fenomenin e asaj që hyn në domenin e ngacmimeve, abuzimeve dhe dhunimeve seksuale, më së miri flasin sociologët e psikologët.

Lajmi.net ka biseduar në lidhje me këtë problem me sociologun Labinot Kunushevci dhe me studiuesen e re të psikologjisë, Dorentina Podrimqaku.

Kunushevci për lajmi.net është shprehur se këto dukuri negative, janë problem kompleks dhe duhet të shpjegohet nga shumë faktor.

Kunushevci problem primar e sheh edukimin. Ndër të tjera, ai ka theksuar se edhe mungesa e kampanjave vetëdijësuese, ndryshimi i sistemit të vlerave dhe të ngjashme kanë ndikuar që këto raste të jenë më prezente se kurrë.

Problemi i dukurive negative, patologjive sociale dhe devijimeve morale tek të rinjtë në Kosovë është shumë kompleks dhe nuk mund të shpjegohet vetëm me një faktor”, tha Kunushevci.

“Fillimisht kam përmendur rëndësinë e edukimit shëndetësor dhe seksual, i cili është i paragjykuar nga pikëpamja konservatore moraliste. Por e vërteta është se ne kemi krijuar shumë iluzione për seksualitetin. Në fakt, ka shumë shkaqe që çojnë në abuzime seksuale. Mungesa e edukimit seksual si edukim shëndetësor dhe kulturor në shkolla, mungesa e lëndëve që prodhojnë vetëdijesim kulturor, mungesa e kampanjave, dokumentarëve dhe produkteve kulturore që edukojnë të rinjtë brenda standardeve normale të komunikimit, mungesa e kontrollit familjar dhe prindëror, keqkuptimi i lirisë individuale, ndryshimi i sistemit të vlerave nga ato patriarkale konservatore në ato (post)moderne, mungesa e një autoriteti dhe kontrolli ligjor apo institucional penalizues mbi ngacmuesit seksual dhe abuzuesit, ndikimi i rrjeteve sociale etj”, është shprehur Kunushevci për lajmi.net duke folur për shkaqet e këtyre dukurive.

Por si e sheh Kunushevci zgjidhjen e këtyre problemeve?

“Konsideroj se edukimi seksual, edukimi medial, qasja dhe angazhimi i sociologut në shkollë, angazhimi më i madh i familjeve në edukimin e fëmijëve dhe ai institucional në kontrollimin dhe monitorimin e raporteve zyrtare publike, mund të ndikojnë në zvogëlimin dhe parandalimin e këtyre rasteve që të mos shndërrohen në dukuri. Mbi të gjitha, krijimi i një kulture të kritikës mbi kto raste e fenomene, ka rolin pozitiv”, tha në fund Kunushevci për lajmi.net.

Në anën tjetër, studiuesja e psikologjisë, Dorentina Podrimqaku për lajmi.net është shprehur se këto raste janë të shpeshta, por flitet shumë pak për to.

Ajo është shprehur se në Kosovë, 1 në 3 vajza abuzohet seksualisht dhe 1 në 5 djem, duke u bazuar në studimet e bëra.

“Fillimisht, abuzimi seksual është një temë shumë e rëndësishme dhe është dukuri që ndodh tepër shpesh, por shumë pak flitet për të, sidomos në vendin tonë. 1 në 3 vajza abuzohet seksualisht dhe 1 në 5 djem, e kjo shifër është shumë e lartë në raport me vendin tonë”, është shprehur Podrimqaku.

Podrimqaku ka theksuar se fëmijët abuzohen shumë shpesh nga ndonjë person i afërt dhe shpesh kjo ndodh në saje të besimit naiv.

Ajo ka theksuar gjithashtu faktin e konsekuencave që përcillen tek viktima në rastet e abuzimit gjë që i mundëson abuzuesit zgjatjen e presionit dhe mundësinë më të lehtë për të abuzuar.

“Fillimisht, jo gjithmonë, por gati në të gjitha rastet fëmijët abuzohen nga një person i afërt apo dikush që ata i besojnë. Dhe kur një person të cilit i beson e bën këtë gjë, atëherë automatikisht kjo ndikon në besimin e viktimës. Ata kështu humbin besimin tek të gjithë dhe tek ata krijohet përshtypja se të gjithë do t’i tradhtojnë dhe lëndojnë. Ankthi, frika dhe mendimi për vetëvrasje ndodhen me to gjatë gjithë kohës. Një pikë kyçe që duhet të kemi shumë konsideratë është që viktima manipulohet në mendimin që është faji i tij/saj, që kjo po ndodh. Kjo është edhe arsyeja pse shumica e mbajnë të fshehur që janë abuzuar sepse frika që do të gjykohen nga njerëzit e tjerë, që njerëzit e tjerë do t’i fajësojnë ata dhe do t’i shikojnë ndryshe është shumë e madhe. Dhe në këtë mënyrë abuzuesi vazhdon dhunën për shkak të gjendjes së ulët mendore e shpirtërore të viktimës”, ka shpjeguar hollësisht Podrimqaku për lajmi.net.

Ajo është shprehur gjithashtu se tek fëmijtë kjo ndikon edhe në mënyrën se si e shohin seksin dhe në mënyrën e mendimit dhe perceptimit për jetën.

“Një problem shumë i madh që vjen nga abuzimi është që viktimat mendojnë se kjo është e vetmja mënyrë që meritojnë të duhen. Pastaj mund të ketë impakt edhe në mënyrën se si e shohin seksin. Seksi në të shumtën e kohëve pas këtyre rasteve shihet si diçka e keqe dhe e tuprshme. Pastaj kjo ndikon edhe në mënyrën se si viktimat futen në lidhje duke menduar që e vetmja gjë e mirë të cilën mund ta bëjnë është seksi. Për shkak që nuk mund të flasin me njerëzit për sekretin e tyre është arsyeja pse bien në depresion dhe kjo ndikon shumë që kemi raste kur fëmijët abuzojnë me alkool dhe droga të ndryshme”, tha më tutje Podrimaqku.

Podrimqaku është shprehur se ka vetëm disa organizata që mirren me këtë problem dhe se roli i psikologut në shkolla është shumë i rëndësishëm.

“Një viktimë që është eventualisht duke u abuzuar seksualisht do të ketë ndryshime në sjellje. Agresiviteti, mllefi, pakënaqësia që përjeton transmetohet në po atë mënyrë dhe këshilla me psikologun do të ishte esenciale”, tha Podrimqaku.

Sipas Podrimqakut, seksi në Kosovë ende konsiderohet si diçka e turpshme që nuk duhet të flitet për të, e sidomos nëpër shkolla.

Sipas saj, kjo është gabim pasi që sa ma shumë që flitet për seks, aq më shumë vetëdijesohen njerëzit për kontrollin që e kanë mbi trupin e tyre.

Ajo gjithashtu është shprehur se rastet e abuzimeve duhet të jenë të dënueshme maksimalisht me ligj dhe të trajtohen sa më tepër në aspektin psiko-social. /N.S /Lajmi.net/