Trainkos paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 9 korrik

Sindikata e Punëtorëve të Trainkos Sh.A. ka paralajmëruar se punëtorët do të hyjnë në grevë nëse pagat për muajin qershor nuk ekzekutohen deri më 9 korrik 2026, në orën 12:00. Përmes një komunikate për media, sindikata ka bërë të ditur se ndërmarrja po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke fajësuar mosekzekutimin e mjeteve…

Lajme

08/07/2026 15:05

Sindikata e Punëtorëve të Trainkos Sh.A. ka paralajmëruar se punëtorët do të hyjnë në grevë nëse pagat për muajin qershor nuk ekzekutohen deri më 9 korrik 2026, në orën 12:00.

Përmes një komunikate për media, sindikata ka bërë të ditur se ndërmarrja po përballet me një situatë të rëndë financiare, duke fajësuar mosekzekutimin e mjeteve nga Ministria e Infrastrukturës, bllokimin e llogarive nga përmbaruesit privatë, borxhet e trashëguara ndër vite dhe vonesat në rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10.

“Trainkos Sh.A. po përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë financiare si pasojë e mosekzekutimit të pagave të punëtorëve për muajin qershor 2026. Punëtorët e Trainkos kanë vazhduar me përkushtim t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre dhe po i përmbahen Marrëveshjes për Ofrimin e Shërbimeve të Transportit Hekurudhor të Udhëtarëve, të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës për periudhën 2023–2027”, thuhet në komunikatë.

Sipas sindikatës, Ministria e Infrastrukturës ka obligim kontraktual për financimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, por mjetet financiare nuk janë ekzekutuar sipas marrëveshjes.

Në komunikatë thuhet se një tjetër faktor që ka rënduar gjendjen financiare është bllokimi i mjeteve nga përmbaruesit privatë.

“Bllokimi i mjeteve financiare nga përmbaruesit privatë, të cilët konfiskojnë mjetet menjëherë pasi ato transferohen në llogaritë e ndërmarrjes, për raste të vjetra, të cilat konsiderojmë se në shumë raste janë të padrejta. Ekzistojnë dyshime serioze se një pjesë e këtyre proceseve janë orkestruar nga persona brenda ndërmarrjes në kohën kur janë ngritur paditë”, thuhet më tej.

Sindikata ka përmendur edhe borxhet e trashëguara ndër vite, si dhe zvarritjen e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, në segmentin Fushë Kosovë – Hani i Elezit, si arsye që kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes financiare.

“Edhe pse punimet ishte paraparë të përfundonin në vitin 2021, ato nuk kanë përfunduar ende. Që nga viti 2022, qarkullimi i trenave në këtë linjë është ndërprerë plotësisht, duke i pamundësuar Trainkos-it realizimin e transportit dhe të hyrave nga aktiviteti i tij kryesor. Kjo situatë nuk është shkaktuar nga Trainkos dhe as nga punëtorët e saj”, theksohet në komunikatë.

Sindikata ka bërë të ditur se, nëse pagat nuk ekzekutohen brenda afatit të caktuar, punëtorët do të ndërpresin punën në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Prandaj, njoftojmë opinionin publik se, nëse pagat nuk ekzekutohen deri më 09.07.2026, në orën 12:00, punëtorët do të fillojnë ndërprerjen e punës (grevën), në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, për të mos dëmtuar udhëtarët që tashmë kanë nisur udhëtimin, sindikata njoftoi se treni me numër 4200, në relacionin Pejë–Prishtinë, do ta përfundojë itinerarin e planifikuar.

Në fund, Sindikata e Punëtorëve të Trainkos u ka bërë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj ndërmarrjes.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin urgjentisht veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve financiare ndaj Trainkos Sh.A., në mënyrë që të shmanget ndërprerja e transportit hekurudhor dhe të mbrohen të drejtat ligjore të punëtorëve”, përfundon komunikata.