Tragjike: Vdes një 13-vjeçare nga shpërthimi i bombolës së gazit në Dragash

Një vajzë 13-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit në fshatin Shajne të komunës së Dragashit. Këtë për Lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se nga shpërthimi nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar. “Sipas informatave…

Lajme

10/10/2025 10:47

Një vajzë 13-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit në fshatin Shajne të komunës së Dragashit.

Këtë për Lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se nga shpërthimi nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.

“Sipas informatave fillestare, nuk ka persona të tjerë të lënduar”, deklaroi Bytyqi.

Ngjarja ka ndodhur më 9 tetor 2025, rreth orës 18:31, kur Policia e Kosovës është informuar përmes Qendrës Emergjente në Prizren (112) për një incident në fshatin Shajne, ku ishte raportuar për një fëmijë të lënduar rëndë.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, patrulla policore nga Stacioni Policor në Dragash është nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërkohë që është njoftuar edhe ekipi mjekësor emergjent,” tha zëdhënësi.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, është konfirmuar se viktima është e mitura E.F.I., 13 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në shtëpinë e saj. Ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar se vajza nuk kishte shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzike të Stacionit Policor të Dragashit, si dhe hetues rajonalë me mbështetjen e eprorëve policorë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejshëm.

Policia po e trajton rastin si vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë në vazhdim./lajmi.net/