Tragjedia në Koçan: Katër pacientë të lënduar nga zjarri po kthehen në vend
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut informon se katër pacientë të tjerë që u lënduan në zjarrin e Koçanit po kthehen nga jashtë vendit dhe do të mbahen nën vëzhgim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”. Konkretisht, një nga pacientët mbërriti dje nga Sofja, dy pacientë po…

Lajme
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut informon se katër pacientë të tjerë që u lënduan në zjarrin e Koçanit po kthehen nga jashtë vendit dhe do të mbahen nën vëzhgim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”.
Konkretisht, një nga pacientët mbërriti dje nga Sofja, dy pacientë po kthehen sot nga Beogradi, dhe pacienti i katërt pritet të mbërrijë nesër nga Sofja, që do të thotë se 11 pacientë të tjerë të lënduar në zjarrin e Koçanit do të mbeten në qendra mjekësore të huaja për trajtim. Pacientët që po trajtohen jashtë vendit janë në gjendje të qëndrueshme.
“Specialistët nga Klinika e Kirurgjisë Plastike vizitojnë rregullisht Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit disa herë në javë dhe kryejnë ekzaminime, fashime të pacientëve të lënduar, ndërsa specialistët e mjekësisë fizike dhe specialistët psikiatrikë janë gjithashtu të përfshirë në trajtimin e personave me djegie. Ministria e Shëndetësisë po monitoron vazhdimisht situatën e pacientëve të lënduar, me qëllim që të sigurojë trajtimin më të mirë të mundshëm, si dhe rehabilitimin e mëtejshëm”, thonë nga MSH.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.