Tragjedia bën me kulm mbi kokë familjen Manxhuki
Familja e Enis Manxhukit, fëmijës tremuajsh që ndërroi jetë dje në Gjakovë, nga sot do të strehohet përkohësisht në një shtëpi të siguruar nga Komuna e Gjakovës. Familjarët e fëmijës, për të cilin u tha se vdiq nga të ftohtit, do të kenë ngrohje, ushqim dhe mjekim për të cilin kanë nevojë.

Lajme
Komuna e Gjakovës, thotë se nuk ishte në dijeni për gjendjen në të cilën po jeton familja Manxhuki, që kësaj familje ia mori më të voglin e shtëpisë. Organet komunale të Gjakovës vizituan sot këtë familje, prej ku edhe dhanë zotime se do të kujdesen strehimin e tyre dhe gjendjen shëndetësore të fëmijës tjetër, i cili ka probleme me frymëmarrje.
Megjithë tragjedinë që pësuan, familjarët falënderuan Komunën e Gjakovës për mbështetjen që do t’ua jap tani e tutje.
“Faleminderit prej deputetit, komunës, prej kryetares sonë, Mimoza Kusari-Lila, faleminderit prej saj që i dërgoi ndihmë dhe se do t’i dërgojë në një shtëpi, me i këqyr këta jetimë këtu”, tha ai.
Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares Mimoza Kusari-Lila, tha se komuna nuk ka q enë në dijeni për gjendjen e familjes Mangjuku.
“Ne si komunë nuk kemi pas informata, edhe një herë e them. Por, megjithatë, tash jemi në fazën kur me interes të sistemohet kjo familje, të shikohet shëndeti i fëmijëve tjerë. Kemi informata nga zoti Manxhuku që edhe fëmija tjetër dy-vjeçar vuan nga organet e frymëmarrjes. Ne, menjëherë pas këtij takimi, do të marrim fëmijën, do ta dërgojmë në repartin pediatrik, ku ne si komunë do të jemi të gatshëm të kujdesemi edhe për ekzaminimet tjera mjekësore, por edhe për sigurimin e ilaçeve për momentin”, tha ai.
Ai tha se në mbledhjen e bordit të drejtorëve do të diskutojnë edhe për çështjen e përcaktimit të pronës, dhe mundësinë e ndarjes së një parcele për ndërtimin e një shtëpie për këtë familje.
Për gjendjen në të cilën jeton kjo familje, thanë se nuk kanë qenë në dijeni edhe përfaqësuesit e komunitetit egjiptas.
Deputeti Veton Berisha, që foli në emër të komunitetit, tha se janë të gatshëm që të kontribuojnë në ndërtimin e shtëpisë për këtë familje.
“As ne si përfaqësues të komunitetit nuk e kemi ditur këtë rast, aq më tepër, tani u kuptua edhe nga komuna që nuk kanë shkuar deri tek komuna. Kurrë nuk kanë takuar zyrtarë që janë përgjegjës. Na duhet një informim më i mirë sigurisht, duhet që njerëzit të dijnë të drejtohen. Ne ofruam që komuna në rast se arrin të gjejë vendin, truallin ku shtëpia mund të ndërtohet, besoj që me një vullnet të mirë nga të gjithë ata që dëshirojmë me ndihmu këtë familje do të arrijmë edhe në formën tjetër ta ndërtojmë shtëpinë”, tha ai.
Ata ndanë njëmijë euro për këtë familje.
Prej sot, familja Manxhuki u sistemua në një banesë në të përkohshme dhe fëmija i cili ka probleme me frymëmarrje u dërgua për kontrolle të detajuara.