​Tragjedi në një familje shqiptare në Itali: Humbin jetën 4 anëtarët nga rrjedhja e gazit

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës. Sipas mediave italiane, viktimat janë një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 48, 43, 22 dhe 15 vjeç,…

Lajme

05/02/2026 08:46

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.

Sipas mediave italiane, viktimat janë një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 48, 43, 22 dhe 15 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare.

Dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë një defekt në kaldajën e shtëpisë, që ka çliruar gazin vdekjeprurës brenda banesës.

Një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ka shkuar në banesë pasi nuk merrte përgjigje në telefon.

Ai ka njoftuar autoritetet, të cilat pasi kanë hyrë në shtëpi kanë gjetur katër trupat pa jetë.

Personi i pestë është shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi edhe ai u intoksikua nga monoksidi i karbonit.

Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e darkës, pasi në banesë u gjet tavolina e shtruar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e tragjedisë.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së zonës, i cili shprehu tronditjen për humbjen e katër jetëve, duke e cilësuar ngjarjen si një dramë për gjithë komunitetin.

https://www.tgcom24.mediaset.it/cronaca/lucca-quattro-morti-intossicati-casa-monossido-carbonio_108655796-202602k.shtml