Tragjedi në Francë, Ambasadori i Afrikës së Jugut hidhet nga kati i 22-të i hotelit

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nathi Mthethwa, humbi jetën pasi ra nga kati i 22-të i një hoteli luksoz në Paris Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të zbardhur ngjarjen, ndërsa prokurorët konfirmuan se trupi i diplomatit u gjet të martën në mesditë, pranë hotelit ku ishte akomoduar. Sipas mediave lokale dhe…

Bota

30/09/2025 19:02

Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nathi Mthethwa, humbi jetën pasi ra nga kati i 22-të i një hoteli luksoz në Paris

Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të zbardhur ngjarjen, ndërsa prokurorët konfirmuan se trupi i diplomatit u gjet të martën në mesditë, pranë hotelit ku ishte akomoduar.

Sipas mediave lokale dhe burimeve zyrtare, gruaja e Mthethwas kishte kontaktuar policinë pasi kishte marrë një “mesazh shqetësues” prej tij të hënën mbrëma. Kjo çoi në nisjen e një operacioni kërkimi, gjatë të cilit u përdorën edhe njësi me qen për të kontrolluar zonën pranë Bois de Boulogne, një pyll i madh në perëndim të Parisit.

Telefoni i ambasadorit ishte gjurmuar për herë të fundit në këtë zonë rreth orës 15:00 të së hënës. Megjithatë, trupi i tij u gjet vetëm një ditë më vonë, në tarracën e hotelit Hyatt, ku raportohet se dritarja e dhomës së tij ishte hapur me forcë, sipas gazetës franceze Le Parisien.

Prokuroria franceze nuk e ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, por njofton se hetimet janë ende në vazhdim. Një magjistrat hetues ka vizituar vendin e ngjarjes, ndërsa pritet edhe një raport mjeko-ligjor.

Ambasadori ishte një figurë e njohur në skenën politike të Afrikës së Jugut. Ai nisi aktivitetin e tij si aktivist dhe më vonë u angazhua në politikë, ku ka shërbyer si Sekretar organizativ i Lidhjes së Rinisë së ANC-së, Kryetar i Komitetit Parlamentar për Minierat dhe Energjinë, Ministër i Policisë gjatë presidencës së Kgalema Motlanthe dhe Jacob Zuma, Ministër i Arteve dhe Kulturës, dhe më pas edhe i Sportit, Arteve dhe Kulturës deri në vitin 2023.

Në fillim të vitit 2024, ai u emërua ambasador në Francë dhe njëkohësisht përfaqësues i përhershëm i Afrikës së Jugut pranë UNESCO-s.

Ngjarja tragjike e ambasadorit Mthethwa vjen pak muaj pas një rasti tjetër tronditës, ku një adoleshent britanik humbi jetën në Ibiza pasi ra nga kati i tretë i një hoteli.

Sipas policisë lokale, 19-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u vra menjëherë pas rënies në hotelin Ibiza Rocks në qytetin San Antonio. /tch