Tradhtari nuk gjuhet me vezë!

Kur e don shtetin, me 50 mijë protestues në shesh, për një javë, pa gjuajtur gurë, e rrëzon cilëndo qeveri. Kur e don pushtetin, dy-tre mijë militantë e dhjetë kokrra vezë nuk mjaftojnë as për ta frikësuar sigurimin e Isa Mustafës!

Opinion

23/09/2015 12:22

Ta zëmë sikur kjo qeveri, ashtu siç thotë opozita, është një kabinet kuislingësh, tradhtarësh, të cilët për një arsye apo tjetër, duan ta shesin veriun e Kosovës! Dhe se nën trysninë e aleatëve, madje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po formohet “zajednica” që Kosova një ditë t’i kthehet Serbisë, ashtu siç parashikoi muaj më parë edhe një falltor “i njohur” rus! Dhe, për një “tradhti” kaq të madhe, kombëtare, kjo opozitë nuk është në gjendje të nxjerr në shesh të paktën 50 mijë patriotë! Madje e saboton vetveten, duke e gjuajtur “tradhtarin” me vezë! Cirk!

A nuk do të ishte obligim moral e kombëtar që për tradhti të këtillë të dilnim në protestë i madh e i vogël, të gjithë sa jemi, një milion e 700 mijë shtetas të Republikës së Kosovës? Apo nuk ka tradhti? A ndoshta nuk ka opozitë reale? Sepse, nuk ka qeveri e paslufte e që nuk e ka merituar të bie përpara se ta përfundojë mandatin. Dhe ky popull i vuajtur, i nëpërkëmbur nga pozita dhe i përbuzur nga opozita, i varfër, që ushqim kryesor i ka pikërisht vezët, nuk i beson më kësaj klase politike.

VV-ja me politikën e saj destruktive, të brendshme e të jashtme, nuk ka fituar mbështetjen e popullit as të aleatëve të shtetit të Kosovës. Ka dështuar pa e provuar qeverisjen. Sepse fokusi duhej të ishte diku tjetër, jo te flamuri, te hymni, te bashkimi kombëtar, te temat që nuk janë priorite për shtetin e Kosovës.  Prandaj, janë shumë 50 mijë veta për të dëgjuar demagogji në shesh, sidomos për rrezikun e Kosovës nga armiqtë e jashtëm, kur rreziku i vjen nga përbrenda saj.

Problemi më i madh i popullit nuk është “zajednica” as ajo “gjykata speciale”. Këto mund të llogariten si pasoja të dy problemeve tjera shumë më të mëdha, korrupsionit dhe krimit të organizuar, dy shkakëtarëve të çdo të keqeje tjetër në Kosovën e pasluftës, të varfërisë dhe ekstremizmit fetar, migrimit masiv drejt Perëndimit dhe vetëvrasjes në Lindje!

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, dy fenomenet që gjatë këtyre vjetëve kanë vënë nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë; kanë sjellë nepotizmin dhe prostitucionin; kanë frikësuar investitorët e jashtëm dhe penguar zhvillimin ekonomik të vendit; kanë kriminalizuar shëndetësinë e degjeneruar arsimin.

Kjo qeverisje, e bërë shpesh në emër të mbrojtjes së vlerave të luftës dhe atyre kombëtare, ka shkelur mbi parimet themelore të demokracisë – barazinë përpara ligjit, ka lënduar rëndë raportet miqësore të Kosovës me aleatët e saj Perëndimor dhe ka lëkundur edhe pozicionin tonë në bisedimet me Serbinë.

Dhe, me gjithë këtë mjerim, e vërbuar për ta marrë pushtetin brenda natës, edhe me dhunë, gjithnjë në emër të mbrojtjës së vlerave të luftës dhe atyre kombëtare, me përpjekje e saj për rrëzimin e qeverisë me aksione qesharake dhe irrituese, të dhunshme dhe rrallëherë serioze, Vetëvendosje vetëm sa e ka penguar zhvillimin demokratik të shtetit të Kosovës!

Isa Mustafa, ashtu si shumë politikanë të tjerë nga të gjitha partitë politike, mund të jetë i korruptuar dhe i korruptueshëm, tradhtar i këtij profili, por nuk është i llojit që e prezenton Vetëvendosje! Dhe dje, derisa e ftoi të raportonte në Kuvend, duhej ta lejonte të fliste!

Sepse, kur e don shtetin, duhet të kesh pak durim dhe me 50 mijë protestues në shesh, për një javë, pa gjuajtur gurë, e rrëzon cilëndo qeveri. Kur e don marrjen e pushtetit brenda natës, dy-tre mijë militantë dhe 20-30 kokrra vezë nuk mjaftojnë as për ta frikësuar sigurimin e kryeministrit.

Kështu, me këtë qeverisje dhe opozitarizëm, amullia vazhdon! Me këto subjekte politike, të cilat së bashku kanë marrë 35-40 përqind të votave, të fituara e të vjedhura, në çdo palë zgjedhje, me qeverisje degraduese gjatë këtyre 15 vjetëve, populli i Kosovës është në fazën e kërkimit të daljes së kontrolluar nga rrethi vicioz brenda të cilit është ngujuar!

Para luftës këtij populli i ishte instaluar pushteti, pas luftës i ishte montuar, ndërsa tash ai duhet të fitohet. Ditën kur te “Gjergj Katrioti – Skënderbeu” dhe sheshet tjera përreth do të mblidhen 50 mijë protestues, Kosova mund të llogaris në dorëheqjen a rrëzimin e cilitdo kryeministër, për tradhti kombëtare – dezertim nga lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Populli nuk ha bari! Kur të djeg qumshti, i fryn kosit!

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdosmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)