Tortja me salcë portokalli, ëmbëlsira e festave të fundvitit

Në qoftë se sheqerparja dhe bakllavaja tradicionale ju duken shumë të vështira për t'u përgatitur, nuk keni pse të vraponi në pastiçerinë e parë në lagje, pasi me pak punë dhe kreativitet mund të realizoni ëmbëlsirën më të mirë të festave të fundvitit.

Lifestyle

23/12/2018 23:25

Përbërësit për tavë me diametër 22/24 cm të thellë: 225g sheqer, 280g miell, 12g sodë për ëmbëlsira, 1 majë thike kripë, 130ml lëng portokalli i freskët, lëkura 1 + ½ limoni bio e grirë në rende, lëkura 1+1/2 portokall bio e grirë në rende, 140ml vaj luledielli, 3 vezë, 100g fara lulëkuqesh.

Për salcën e portokallit: 150ml lëng portokalli I freskët, 150g sheqer, 100ml ujë.

Për zbukurim: sheqer pluhur, 2-3 lugë qumësht dhe fruta pylli sipas dëshirës.

Përgatitja: Ndezim furrën me 170°C.Në një tas të madh hedhim lëngun e portokallit, vajin, vezët, sheqerin, miellin dhe sodën me sitë, kripën, farat e lulëkuqeve, lëkurën e grirë të portokallit dhe të limonit. I përziejmë vetëm pasi t’i kemi hedhur të gjithë përbërësit me rrahësin e vezëve me dorë me shumë energji duke u përpjekur që brumi të marrë sa më shumë ajër sepse kjo do ta bëjë torten akoma më të butë. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell për 40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër.

Për salcën me portokall: Hedhim të gjithë përbërësit në një tenxhere të vogël dhe e vëmë në flake të ulët duke e përzier pa ndërprerje derisa të trashet sipas dëshirës. Kur tortja të jetë pjekur, e shpojmë në sipërfaqe me kruajtëse dhëmbësh dhe I hedhim sipër salcën e portokallit pjesëpjesë në mënyrë që ajo të thithet nga tortja . Lëmë pak nga salca mënjanë për ta përdorur kur torten ta përmbysim në pjatë. Pasi të kenë kaluar 20 minuta dhe tortja ka thithur të gjithë salcën, e përmbysim mbi pjatën që do ta shërbejmë dhe pasi ta shpojmë përsëri me kruajtëse dhëmbësh e lagim me salcën që na ka mbetur. Nëse dëshironi mund të përgatitni glase të bardhë duke përzier 2-3 lugë qumësht me sheqer pluhur. Këtë të fundit do ta shtoni pjesë-pjesë derisa të keni trashësinë e dëshiruar. Përpiquni ta bëni pak të trashë pasi krijon kontrast me frutat sipër.