“Topi i Artë” zhvendoset në Londër, zbulohet data e ceremonisë dhe favoritët

Edicioni i 70-të i “Topit të Artë” do të zhvillohet më 26 tetor 2026, në një ceremoni që për herë të parë në histori do të largohet nga Parisi për t’u mbajtur në Londër. Zhvendosja e ceremonisë në kryeqytetin britanik ka edhe një domethënie simbolike, pasi trofeu feston 70-vjetorin e tij pikërisht në vendin e…

Sport

04/09/2026 14:36

Edicioni i 70-të i “Topit të Artë” do të zhvillohet më 26 tetor 2026, në një ceremoni që për herë të parë në histori do të largohet nga Parisi për t’u mbajtur në Londër.

Zhvendosja e ceremonisë në kryeqytetin britanik ka edhe një domethënie simbolike, pasi trofeu feston 70-vjetorin e tij pikërisht në vendin e Stanley Matthews, anglezit që fitoi edicionin e parë të “Topit të Artë” në vitin 1956. Organizatorët pritet të bëjnë të ditur në vijim edhe vendin e saktë dhe orën e fillimit të ceremonisë.

Short-listat zyrtare do të publikohen më 8 shtator nga France Football, me 30 kandidatë për çmimin e meshkujve dhe 30 kandidate për atë të femrave.

Në garën për “Topin e Artë” të meshkujve, rivaliteti pritet të jetë tepër i fortë. Mes favoritëve përmenden Rodri, kampion bote me Spanjën dhe i shpallur lojtari më i mirë i turneut, Lamine Yamal, kampion bote dhe fitues i La Ligës, si dhe Fabian Ruiz, i cili ka fituar Botërorin, Champions League dhe Ligue 1. Në listë janë edhe Khvicha Kvaratskhelia, Harry Kane, Kylian Mbappé dhe Lionel Messi, i cili udhëhoqi Argjentinën drejt finales së dytë radhazi të Botërorit.

Te femrat, Barcelona dominon parashikimet pas një sezoni të jashtëzakonshëm me katër trofe. Alexia Putellas, Ewa Pajor dhe Aitana Bonmatí janë ndër emrat kryesorë të garës.

Çmimi do të bazohet në paraqitjet gjatë sezonit 2025/26, përfshirë edhe Botërorin e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Fituesi përcaktohet nga një juri gazetarësh sportivë, ndërsa krahas dy “Topave të Artë” do të ndahen edhe trofetë Kopa, Yashin, Gerd Müller, Johan Cruyff, Çmimi i Klubit të Vitit dhe çmimi Sócrates.