“Çështje personale, akuzat ndaj mediave dhe sigurinë e familjes së saj” – Top tri deklaratat e Osmanit që i bëri sot në konferencë

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Presidencë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë disa deklarata të forta që kanë ngjallur reagime dhe vëmendje të madhe publike. Më poshtë janë tri nga deklaratat kryesore të saj, të cilat përfshijnë çështje personale, akuzat ndaj mediave dhe sigurinë e familjes së saj, raporton lajmi.net…

Lajme

11/09/2025 13:08

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Presidencë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë disa deklarata të forta që kanë ngjallur reagime dhe vëmendje të madhe publike.

Më poshtë janë tri nga deklaratat kryesore të saj, të cilat përfshijnë çështje personale, akuzat ndaj mediave dhe sigurinë e familjes së saj, raporton lajmi.net

“Babin tim e quajnë milic, e ai ka qenë i burgosur politik”

Presidentja Osmani ka reaguar ashpër ndaj aludimeve se babai i saj, Raif Osmani, ka qenë polic në kohën e Jugosllavisë. Ajo i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe ofenduese, duke theksuar se ai ka qenë i përndjekur politik dhe bashkëpunëtor i presidentit historik Ibrahim Rugova.

“Çohen e quajnë babin tim, që ka qenë i burgosur politik e i torturuar në burgjet e Jugosllavisë, e quajnë milic. Ai asnjëherë s’ka qenë milic, por ka qenë bashkëpunëtor i presidentit Rugova”, tha Osmani.

Ajo shtoi se është rritur duke parë babanë e saj të arrestohej nga policia jugosllave.

“Jugosllovenët nuk i kanë torturuar bashkëpunëtorët e tyre, ju e dini. Unë jam rritë duke e arrestuar policia vazhdimisht babin tim, duke mos e ditë për orë të tëra se ku është . Jugosllevënët nuk I kanë torturuar bashkëpunëtorët e tyre ju e dini”, ka thënë ajo.

“Ka pasur bashkëpunëtorë të Radoiçiqit në media – e dinë ata kush janë”

Një tjetër deklaratë e rëndë nga Osmani ishte akuzimi indirekt ndaj disa përfaqësuesve të mediave, duke aluduar se disa prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë të Milan Radoiçiqit gjatë hetimeve për ngjarjet në veri.

“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grushtshtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalur shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet”, tha Osmani.

Presidentja ka shtuar se institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet dhe se ato e dinë mirë se për kë bëhet fjalë:

“E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi.”

“Vajzat e mia e urrejnë përcjelljen nga Policia – u ndikon keq në psikologji”

Duke folur për çështjet e sigurisë personale dhe masat mbrojtëse të zyrtarëve të lartë shtetërorë, Osmani ka ndarë edhe një aspekt më personal, duke treguar se vajzat e saj ndihen të ngarkuara nga përcjellja e përditshme e Mbrojtjes së Afërt.

“Vajzat e mija e urrejnë atë përcjellje, por s’ka qenë kurrë zgjidhja e tyre. Ua pengojnë fëmijërinë dhe u ndikon keq në psikologjinë e tyre”, deklaroi Osmani derisa fliste për mënyrën se si përcaktohet rrezikshmëria e zyrtarëve shtetëror, gjë të cilën e dinë thuajse të gjithë”, tha ajo./Lajmi.net/