Tomë Gashi e quan propagandë aktakuzën ndaj Limajt

Aktakuza të cilën një prokuror ndërkombëtar ngriti ndaj ish-ministrit Fatmir Limaj nuk i është dorëzuar avokatëve mbrojtës të tij. Por, Tomë Gashi, avokat i Limajt, e quan si propagandë mediale aktakuzën. Thotë se kjo nuk paraqet kurrfarë rreziku për të.

Lajme

19/02/2014 19:31

Aktakuza e ngritur nga një prokuror ndërkombëtar për Fatmir Limajn, për shkak të, kinse keqpërdorimeve të tij sa ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit të Kosovë nuk u është dorëzuar avokatëve mbrojtës të tij.

Këtë e bën të ditur avokati i tij, Tomë Gashi, në një deklaratë për Klan Kosova.

Gashi tha se përderisa aktakuza është bërë në orë të vonë kur institucionet e drejtësisë janë të mbyllura, sipas tij, këto janë dëshmi që ka të bëjë më shumë me një propagandë mediale.

“Në orët e vonshme të pasdites kur Gjykatat nuk punojnë dhe kur Prokuroritë tashmë janë të mbyllura, e kur mbrojtja e ka të pamundshme që të sigurojë një kopje të aktakuzës për të ditur më tepër për se cilat kanë qenë arsyet e prokurorit për ngritjen e kësaj aktakuze dëshmojnë se kemi të bëjmë me qasje mediale apo me një propagandë mediale”.

Gjithashtu ai e konsideron këtë aktakuzë si poetike, pasi thotë se, kjo vie në kohën kur po afrohen zgjedhjet nacionale dhe pak ditë pasi Limaj bëri me dije se pret të formojë një subjekt të ri.

“Sa herë Fatmir Limaj apo dikush tjetër përmend eventualisht angazhimet e tij politike atëherë gjithmonë tentohet të parandalohet me ngrijte të akuzave të tilla”.

“Nuk ka kurrfarë rreziku se ai do të largohet nga Kosova, nuk ka kurrfarë rreziku se mund të përsëritet vepra penale, nuk ka kurrfarë rreziku se mund t’i dëmtojë provat”, tha ai për Klan Kosova.