“Tollovi” në tregun e barërave në Kosovë- Në barnatore private mungon produkti NaCl, Ministria e Shëndetësisë ia adreson problemin “tregut të lirë”

Sistemi shëndetësor në Kosovë, si ai privat edhe ai publik po përballen me mungesë të disa prej barnave esenciale. Një “kolaps” edhe më i zgjeruar u paralajmërua se mund të ndodhë muajve në vazhdim ku shumë prej barërave pritet të mungojnë e shumë të tjera të shtrenjtohen. Një nga to që po mungon, e po…

Lajme

24/03/2025 12:59

Sistemi shëndetësor në Kosovë, si ai privat edhe ai publik po përballen me mungesë të disa prej barnave esenciale.

Një “kolaps” edhe më i zgjeruar u paralajmërua se mund të ndodhë muajve në vazhdim ku shumë prej barërave pritet të mungojnë e shumë të tjera të shtrenjtohen.

Një nga to që po mungon, e po iu paraqet më së shumti probleme spitaleve e Qendrave të Mjekësisë Familjare, është NaCl 0.9% në përmasa prej 500 ml dhe 100 ml.

Problem serioz, ka shkaktuar kjo mungesë në Spitalin e Mitrovicës, ku të enjten me 20 mars, pesë operime janë anuluar si shkak i mungesës së këtij produkti, shkruan lajmi.net.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për lajmi.net ka mohuar se ka mungesë të NaCl-së në të gjitha institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

“Konsiderojmë se nuk ka mungesë të këtij produkti”, ka thënë MSh.

Në lidhje me mungesat e këtyre produkteve në barnatore private, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se mund të shkaktohen për shkak të produkteve që nuk kanë deklaruar çmim në afatin e caktuar dhe që nuk mund të shiten nga barnatoret pa përcaktim të çmimit sipas listës zyrtare. 

MSh, ka thënë për lajmi.net se sa i takon tregut të lire, ditëve në vijim do të publikohet lista zyrtare e çmimeve për produktet për të cilat nuk ka pasur çmime zyrtare dhe operatorët do të pajisën me banderola me çmime të produkteve.

Po ashtu nga Ministria e Shëndetësisë u tha se nga data 1 shkurt Inspektorati Farmaceutik ka kryer rreth 500 inspektime në barnatore ku është vënë re se ka filluar zbatimi i këtij vendimi.

“Ministria e Shëndetësisë, me vendim, ka hapur afatin për deklarimin e çmimeve për ato produkte që nuk kanë pasur çmime, për produkte të reja dhe për ndryshimin e çmimit për ato produkte për të cilat është përcaktuar çmimi. Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale, e miratuar me Vendim nr. 208/XII/2024 të Ministrit të Shëndetësisë, ka hyrë në fuqi më datë 01.02.2025. Nga kjo datë, Inspektorati Farmaceutik ka filluar zbatimin e këtij Vendimi të Ministrit, ku deri me tani janë kryer rreth 500 inspektime në qarkullues farmaceutik me pakicë (barnatore). Gjatë këtyre inspektimeve, është vënë re se barnatoret kanë filluar të zbatojnë këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se AKPPM ka vendosur çmimet sipas Listës Zyrtare në banderolat e produkteve medicinale në importet e reja.

Në lidhje me mungesën e barnave, janë deklaruar edhe nga Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës- ku është bërë e ditur se ka mungesë të disa prej produkteve medicionale.

Sipas shoqatës, arsyeja kryesore për mungesën e këtyre produkteve është çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili sipas tyre është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot reale të furnizuesve.

Në lidhje me Ligjin për çmimin e barnave që ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti i këtij viti, ankesa ka pasur edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Ata kanë shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e barnave, përfshirë ato esenciale në sektorin publik dhe privat, që sipas tyre ka ardhur si pasojë e vendimit të marrë të Ministrit të Shëndetësisë për çmimin e barnave.

“OFK vazhdimisht është duke pasur presion nga anëtarët tanë dhe qytetarët për problemet që po hasen në mungesës së barnave esenciale, të cilat janë jetike për shëndetin e pacientëve dhe për funksionimin normal të sistemit shëndetësor. Ne me kohë kemi paralajmëruar Ministrin e Shëndetësisë shumë para nxjerrjes së vendimit se një metodë e tillë e punës do të shkaktoj këtë kaos në tregun farmaceutik duke cenuar edhe sigurinë e qytetarëve tanë. OFK konsideron se këto vetëm janë rezultatet e para të kësaj krize e cila vetëm sa do të vij e përkeqësohet”, pati deklaruar Oda e Farmacistëve të Kosovës. 
Ndonëse vendimi për zbatimin e listës së unifikuar të çmimit të barnave nga Ministria e Shëndetësisë, është marrë pothuajse tash e tre muaj, në media është raportuar se ai nuk po respektohet.
Një tablet “Daleron”, që përdoret kundër dhimbjeve të lehta dhe merret pa përshkrim të mjekut në tri barnatore të ndryshme nuk e ka çmimin e njëjtë.
Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se nga 1 shkurti Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë, ky ligj duket se nuk po zbatohet.
E që i njëjti nuk po zbatohet, e kanë konfirmuar edhe Oda e Farmacistëve të Kosovës.
“Vendimi për unifikimin e çmimit të barnave po tentohet të bëhet në mënyrë të pjesshme dhe jo në tërësi. Çmimet e barnave edhe janë ulur edhe janë ngritur mirëpo jo në formatin drastik siç e ka prezantuar Ministria e Shëndetësisë” Pavarësisht të gjitha, nisma ka shkaktuar probleme në treg duke bërë që shumë produkte esenciale të mungojnë, kryesisht për shkak se kompanitë nuk po i importojnë për shkak të kostos më të lartë sesa çmimi i shitjes në Kosovë”, ka deklaruar Astrit Haxhijaha, nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.
Vendimi për unifikimin e çmimit të barnave, ka sjell një “kaos” medicinal, duke shkaktuar mungesa të shumta të barnave si në nivelin e shëndetësisë publike ashtu edhe në atë private.
Ditë më parë, është raportuar se në klinikat e QKUK-së, si dhe në Spitale Rajonale ka mungesa edhe të glukozës, vitaminës C, Diklofen-it e Dexason-it ampula si dhe kanilla e sisteme për infuzion. /Lajmi.net/