Togeri që i keqtrajtoi fotoreporterët ishte i dyshuar për vjedhjen e 1.3 milionë eurove në Barcelonë (DOKUMENT)

Togeri i Policisë, Saim Januzi i cili sot u suspendua nga puna për keqtrajtimin e fotoreporterit të “Kohës Ditore” dhe atij të portalit “Indeksonline”, ka qenë i dyshuar për ratin e një vjedhjeje në një hotel të Barcelonës, transmeton Infokusi.

Lajme

11/06/2015 15:12

Burime të portalit “INFOKUSI” kanë bërë të ditur së ndaj togerit Jonuzi dhe 5 të tjerëve në korrik të vitit 2012-të kishte të ngritur një aktakuzë, ku ky grup dyshohej për vjedhje në një hotel të Barcelonës, Spanjë e cila kishte ndodhur në korrik të vitit 2009-të, ku dyshohet se kishin vjedhur stoli ari në vlerë prej 1.3 milion eurosh.

“Aktakuza ishte ngritur nga një prokuror i EULEX-it. Të akuzuar në këtë rast kanë qenë; Haki Januzi, Artan Xhaferi-Jelliqi dhe Shemsedin Benarba, të cilët u akuzuan për veprën penale të vjedhjes së rëndë. Jelliqi, po ashtu u akuzua për kontroll, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”, ka thënë ky burim i portalit “INFOKUSI”, duke ju referuar njoftimit të misionit të EULEX-it të publikuar në 2012.

Ndërsa, Afrim Ymeri, Abedin Beka dhe Saim Januzi, ishin akuzuar për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryerësve të veprës pas vjedhjes së stolive në vlerë prej 1.3 milion eurosh.

Ndryshe, Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka treguar se togeri Saim Januzi i Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, është suspenduar nga detyra për dyzet e tetë (48 orë), me vendim të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Pra është fjala për rastin e djeshëm në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë ku fotoreporteri i portalit Indeksonline Blerim Uka dhe ai i gazetës ‘Kohës Ditore’ Driton Paçarada janë penguar gjatë punës së tyre. Lajmi ka qenë i botuar edhe në websajtin zyrëtar të EULEX-it.

Sami-Januzi-Dokumnet