Shqipëria pret Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”

Shqipëria po pret një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare: Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE”, ku pritet të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor, komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe organizatave rajonale. Qëllimi i takimit është diskutimi për Planin e Rritjes, integrimin…

Lajme

21/11/2025 08:28

Shqipëria po pret një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare: Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE”, ku pritet të mblidhen liderët e Ballkanit Perëndimor, komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe organizatave rajonale.

Qëllimi i takimit është diskutimi për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe hapat drejt afrimit të rajonit me tregun e vetëm të BE-së.

Samiti zhvillohet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama do të presë udhëheqësit e Kosovës, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, së bashku me komisioneren Kos. Punimet janë ndarë në dy panele: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”.

Gjatë samitit do të prezantohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutohen temat kryesore të integrimit ekonomik.

Kryeministri Rama dhe komisionerja Marta Kos do të flasin në hapje të samitit, ndërsa pas përfundimit të tij do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.