Time Kadrijaj: Qeveria e keqmenaxhoi rastin ‘Banjska’ – Sot jemi nën sanksione, asgjë s’mjafton për familjen Bunjaku
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për qasjen ndaj sulmit terrorist në Banjskë, duke thënë se rasti duhej të ishte trajtuar me më shumë seriozitet dhe qasje diplomatike. Në një prononcim për Lajmi.net, Kadrijaj tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar të kapitalizojë politikisht dhe diplomatikisht ngjarjen e Banjskës, ku dy…

Lajme
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për qasjen ndaj sulmit terrorist në Banjskë, duke thënë se rasti duhej të ishte trajtuar me më shumë seriozitet dhe qasje diplomatike.
Në një prononcim për Lajmi.net, Kadrijaj tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar të kapitalizojë politikisht dhe diplomatikisht ngjarjen e Banjskës, ku dy vite më parë u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kjo qeveri rastin Banjskë o dasht ta shfrytëzoj për trajtimin serioz dhe diplomatik të rastit”, u shpreh ajo.
Kadrijaj theksoi se përkundër mundësisë që Kosova të fitonte mbështetje më të madhe ndërkombëtare pas sulmit, veprimet e njëanshme dhe mungesa e koordinimit me partnerët strategjikë e kanë futur vendin në izolim ndërkombëtar.
“Përkundrazi, me veprimet e njëanshme dhe të pa koordinuara, ne jemi vend nën sanksione edhe evropiane edhe amerikane”, deklaroi deputetja e AAK-së.
Duke komentuar edhe kujdesin institucional ndaj familjes së heroit Afrim Bunjaku, Kadrijaj tha se përkushtimi nuk është i mjaftueshëm dhe se çdo veprim duhet të shkojë përtej ceremonive formale.
“A po bahet mjaftueshëm për familjen Bunjaku? Çka do që ban, nuk ashtë e mjaftueshme”, theksoi ajo.
Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi të armatosur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku forcat e Policisë së Kosovës u përballën me një grup të armatosur serb, të cilësuar nga autoritetet si organizatë terroriste. Sulmi u dënua edhe nga bashkësia ndërkombëtare./Lajmi.net/