Thirrja e çuditshme telefonike

13:11 | 31 Tetor 2019

‘Partneriteti Special’ i BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, mund ta mëkëmbë Ballkanin klasik. Dihet se çfarë domethënie ka ai në politikë dhe në histori.

Shkruan: Blerim Shala

Ky duket të jetë njëri prej rrëfimeve të fundit anekdotik  (dhe tragji-komik), kur bëhet fjalë për raportin e Bashkimit Evropian me Kosovën, dhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, i cili ka të ngjarë që do të kthehet në një Ballkan klasik. Dihet mirë domethënia  e tij.

Një politikan i Kosovës pra, sjell numrin e telefonit statik të BE-së në Bruksel, për të pyetur se cili është qëndrimi i BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajmërohet sekretaria automatike, me përgjigjen si vijon: Nëse doni të kuptoni qëndrimin e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, prekne njëshin. Për pozicionin e Francës, prekne dyshin. Për atë të Belgjikës, treshin. Dhe kështu me radhë. Deri te shteti i 27 anëtar i BE-së, nëse këtu nuk përfshihet edhe Britania e Madhe, e cila aktualisht, as nuk është në BE, as nuk ka dalë, ndërsa as që ka qenë ndonjëherë pjesë e Zonës Schengen.

Mësimi është fare i qartë për ne, dhe për të gjithë të tjerët në këto anë të Evropës. BE nuk ka qëndrim për këtë temë, apo, thënë edhe më sakt, edhe pse Komisioni Evropian  (apo, Qeveria e Evropës së bashkuar), ka marrë tashmë vendim që Kosova i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret për ta fituar këtë të drejtë, ai vendim nuk vlenë as pesë cent  (të një Euro-je), sepse shtetet veç e veç të BE-së, kanë në duartë e tyre vendimmarjen finale për një çështje, duke përfshirë këtu edhe këtë që ka shkaktuar dëshpërim dhe mërzi tek qytetarët e Kosovës.

Ky rrëfim ta kujton në fakt atë pyetjen e njohur të Henry Kissingerit, njërit prej diplomatëve më të shquar amerikanë, për numrin thirrës të Evropës.

Nuk ka një numër, nuk ka një qendër të marrjes së vendimeve, megjithëse ky ka qenë synimi i krijimit të Bashkimit Evropian.

Lajmet e këqija të kohëve të fundit që nga Brukseli janë shpërndarë nëpër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, duket se nuk kanë të ndalur. Ditëve të fundit, edhe pse ende kemi të bëjmë me një zonë të spekulimeve politike dhe diplomatike  (të cilat, megjithatë, nuk janë të pabazuara), kjo anë e Evropës është goditur rëndë me një opsion të ri që me gjasë sërish ka ‘origjinë’ franceze, sipas të të cilit, BE-ja do të mund t’i ofrojë ‘Partneritet Special’ gjashtë shteteve të Ballkanit, në vend të një anëtarësimi të mirëfilltë të tyre në Bashkimin Evropian.

Ky relacion ‘special’ i është ofruar vite më parë edhe Turqisë, pasiqë u kuptua që në BE nuk ka disponim që këtij shteti t’i garantohet mundësia e përmbylljes së negociatave për anëtarësim, të cilat kanë nisur qyshmoti.

Modeli i këtij ‘Partneriteti Special’ në mes të Brukselit dhe WB6, është në realitet një epilog i logjikshëm i ideve më mëhershme të Presidentit të Francës Macron, për Evropën e përbërë prej tre rrathëve, ku në atë rrethin e parë, të shteteve aëtare të BE-së, do të ishin vetëm shtetet themeluese të tij.

Spekulimet e këtij lloji, u pasuan më pas me thirrjen e Moskës drejtuar shteteve të këtyre anëve të Evropës për të iu bashkuar Evro-Azisë, të krijuar nga Presidenti rus Vlladimir Putin, me synim për të qenë alternativë e BE-së.

Siç e dimë të gjithë, as në jetën e rëndomtë, as në natyrë, as në politikë, vakumi apo zbazëtia nuk kanë vend, nuk tolerohen dot. Nëse BE-ja tani ka mëdyshje se çka të bëjë me WB6, apo, si të ecën tutje procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE  (apo, edhe të hiqet dorë krejtësisht prej tij), dikush tjetër do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë mundësi për sendërtimin e synimeve të veta.

Njohësit e rrethanave ndërkombëtare qëmoti kanë thënë që burimi kryesor i problemeve politike dhe gjeo-strategjike të shtetit të kontrolluar nga Moska  (qoftë ajo Rusia apo Bashkimi Sovjetik), ka qenë mungesa e kufijve të qartë të atij shteti: Thjeshtë, nuk është ditë ku mbaron ky shtet, veçmas kur bëhej fjalë për kufijtë perëndimor.

Tani, ky duket të jetë defekti kryesor i Bashkimit Evropian si të tillë. Në shikim të parë së paku, kufijtë e jashtëm, në këto anë, të Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, janë kufijtë e BE-së. Por brenda tyre, si një ujdhesë e çuditshme, në të gjitha anët e rrethuar me BE-në, janë gjashtë shtetet e WB6. Nuk mund të ketë një ‘bashkëjetesë speciale’ në mes të kësaj ujdhese dhe BE-së. Ajo duhet të përfshihet në Bashkimin Evropian.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)