Thirrja e ambasadorit Hargreaves për formim të institucioneve, a do ketë efektë në seancën e nesërme?

Nesër në ora 11:00 do të jetë vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo do të jetë hera e 19-të që do të tentohet për të konstituar kuvendin, shkruan lajmi.net Duke e parë krizën institucionale që e ka kapluar vendin, ambasadorët e vendeve mike të Kosovës kanë filluar që të aktivizohen duke…

Lajme

20/05/2025 19:00

Nesër në ora 11:00 do të jetë vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo do të jetë hera e 19-të që do të tentohet për të konstituar kuvendin, shkruan lajmi.net

Duke e parë krizën institucionale që e ka kapluar vendin, ambasadorët e vendeve mike të Kosovës kanë filluar që të aktivizohen duke bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë për këtë situatë.

I fundit që bëri këtë ishte ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.

“Në këtë moment vendimtar, Kosova vazhdon të jetë pa parlament dhe pa qeveri funksionale. Ne i bëjmë thirrje lidershipit politik të Kosovës që të bashkohet, të formojë sa më shpejt kuvendin dhe qeverinë e re, dhe të fokusohet në prioritetet që kanë më shumë rëndësi për qytetarët: mundësitë ekonomike, përfshirjen sociale, dhe stabilitetin rajonal.”, tha Hargreaves në një opinion të publikuar në media sot.

Kjo thirrje e Hargreaves mbetet të shihet nëse do të merret për bazë nesër apo do të përfundoj në “vesh të shurdhër”.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston me kandidimin e Albulena Haxhiut, kurse opozita nuk po duan të votojnë atë, pasi s’po e shohin si të denjë për kryeparlamentare.

Opozita ka kërkuar që të ndryshohet kandidati për kryeparlamentar nga VV-ja nëse duan t’i japin fund këtij ngërçi politikë.

Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje pozitive drejt zhbllokimit të situatës. VV pritet që edhe nesër të tentoj që të krijoj një komision për votimin e fshehtë, kurse opozita pritet që të mos votoj fare për këtë komision. /lajmi.net/