Themelohet Qendra për Zhvillim Rajonal në Ferizaj, synon koordinimin e projekteve strategjike në rajon
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se është themeluar Qendra për Zhvillim Rajonal për Rajonin e Ferizajt, një mekanizëm që synon të forcojë bashkëpunimin ndërkomunal dhe të koordinojë projektet zhvillimore me interes të përbashkët. Përmes një postimi në Facebook, Aliu bëri të ditur se në ceremoninë e themelimit morën pjesë zëvendësministri i…
Lajme
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se është themeluar Qendra për Zhvillim Rajonal për Rajonin e Ferizajt, një mekanizëm që synon të forcojë bashkëpunimin ndërkomunal dhe të koordinojë projektet zhvillimore me interes të përbashkët.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu bëri të ditur se në ceremoninë e themelimit morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ali Dula, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arton Konushevci, si dhe përfaqësues të komunave të Rajonit të Ferizajt.
“Në Ferizaj u themelua Qendra për Zhvillim Rajonal ku përfshihen komunat e Rajonit të Ferizajt me prioritet projektet zhvillimore e strategjike për Rajonin 05”, ka shkruar Aliu.
Sipas tij, qendra e sapothemeluar do të shërbejë si platformë institucionale për bashkërendimin e aktiviteteve zhvillimore, projekteve infrastrukturore dhe investimeve strategjike në nivel rajonal.
Aliu theksoi se përmes këtij mekanizmi synohet koordinim më i madh ndërmjet komunave, planifikim më efikas i projekteve dhe rritje e mundësive për tërheqjen e investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Ai shtoi se Qendra për Zhvillim Rajonal pritet të luajë rol të rëndësishëm në realizimin e projekteve me interes të përbashkët, duke krijuar një qasje më të unifikuar për sfidat dhe prioritetet zhvillimore të komunave të Rajonit të Ferizajt. /Lajmi.net/