Themelohet Garda për Mbrojtjen e Natyrës dhe shënimin e Ditës së Tokës

Shtet që nuk qëndron neutral kur dëmtohet natyra e mjedisi. Ky është parimi me të cilin jemi përcaktuar që të udhëheqim si Qeveri dhe të cilin dëshirojmë ta promovojmë sot, në Ditën Botërore të Tokës. Krahas tij, vjen parimi që pasuritë natyrore nuk janë të askujt veçmas, por janë të të gjithëve bashkë, dhe mbi…

Lajme

22/04/2026 14:25

Shtet që nuk qëndron neutral kur dëmtohet natyra e mjedisi. Ky është parimi me të cilin jemi përcaktuar që të udhëheqim si Qeveri dhe të cilin dëshirojmë ta promovojmë sot, në Ditën Botërore të Tokës.

Krahas tij, vjen parimi që pasuritë natyrore nuk janë të askujt veçmas, por janë të të gjithëve bashkë, dhe mbi të gjitha, që zhvillimi nuk mund të vijë duke e shkatërruar bazën mbi të cilën ndërtohet jeta.

Garda për Mbrojtjen e Natyrës është shprehje e një ndryshimi të thellë në mënyrën se si e kuptojmë shtetin. Një shtet që nuk është spektator, por veprues. Një shtet që nuk reagon vonë, por parandalon me kohë. Pra, politika, veprime e masa paraprake, duke mos pritur për reaksion ndaj dëmit i cili tashmë veçse është shkaktuar. Një shtet i cili nuk e toleron degradimin, por e ndalon dhe parandalon atë.

Për shumë vite, natyra në vendin tonë është trajtuar si një hapësirë pa zot. Aty ku ka munguar shteti, ka hyrë abuzimi. Aty ku ka munguar ligji, ka dominuar interesi i ngushtë.

Ne po e ndryshojmë rrënjësisht këtë logjikë. Mandatin e kaluar kemi vendosur themelet për ndryshim, ndërkaq në fillim të këtij mandati të ri ka një vrull të shtuar për punë të mira.

Mandatin e kaluar janë ndarë mbi 10 milionë euro për rregullimin e shtretërve të lumenjve si dhe për pastrimin e tyre.

Është investuar në ndërtimin e shtretërve të lumenjve: Lumbardhi i Deçanit, Lumi Shtimjana dhe Lumi Llap.

Është bërë pastrimi i shtretërve të këtyre lumenjve: Nerodime; Toplluha, Velezha – Prizren; Sitnica, Gurishta – Vushtrri; Zheger, Livoq dhe Përlepnicë – Gjilan; Verbica, Qubrel, Runik – Drenas, Skenderaj; Janjeva, Godanci, Sitnica – Lipjan; pastaj lumi në Kamenicë, Viti, Artanë; dhe lumi Ibër, Leposaviq.

Ashtu siç jemi zotuar, do të mbyllim të gjitha deponitë ilegale dhe do të krijojmë një sistem të ri, modern e të sigurt për menaxhimin e mbeturinave. Do të ketë monitorime dhe inspektime të rregullta, si dhe ndëshkime të ashpra për ndotësit. Do të vijojmë me Aksionin Shtetëror për Mbrojtjen e Natyrës për të ndaluar degradimin e lumenjve, pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Para tre javësh, në Qeveri e kemi miratuar Projektligjin për Inspektoratin në fushën e mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit, banimit dhe mbrojtjes nga rrezatimi dhe sigurinë bërthamore, si veprim konkret për mbrojtje të ambientit ku jetojmë.

Sepse një republikë serioze nuk mund të ndërtohet mbi lumenj të degraduar, mbi male të shkatërruara e ajër të ndotur. Një republikë e drejtë ndërtohet duke e mbrojtur të përbashkëtën.

Prandaj, Garda për Mbrojtjen e Natyrës është një aleancë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Ndërmjet atyre që e duan natyrën dhe institucioneve, të cilat e kanë për detyrim që ta mbrojnë atë.

Ky bashkim është i domosdoshëm në kohën kur sfidat mjedisore janë tashmë globale. Ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja nuk njohin kufij.

Ne besojmë se mbrojtja e natyrës nuk është pengesë për zhvillimin. Përkundrazi, është kusht për zhvillim të qëndrueshëm. Sepse pa ujë të pastër, pa tokë të shëndetshme, pa ajër të pastër, nuk ka ekonomi të fortë dhe as mirëqenie të qëndrueshme.

Garda për Mbrojtjen e Natyrës e konkretizon këtë bindje. Ajo e sjell shtetin më afër terrenit. E rrit vigjilencën. Dhe e bën përgjegjësinë të përbashkët.

Për themelimin e gardës e përgëzoj dhe e mbështes ministren Fitore Pacolli dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, për këtë iniciativë të rëndësishme e cila e vendos mbrojtjen e natyrës në qendër të veprimit shtetëror.