“The Telegraph” zbardh akuzat: A ishte Aleksandar Vuçiq pjesë e gjuetisë makabre të njerëzve në Bosnje?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vënë nën vëmendjen e mediave botërore pasi prestigjiozja britanike The Telegraph ka raportuar akuza të rënda që e lidhin atë me të ashtuquajturat “sniper-safari” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996), ku të huaj të pasur dyshohet se paguanin për të qëlluar mbi civilët boshnjakë. Sipas gazetës, Vuçiq dyshohet të ketë…

Lajme

20/11/2025 22:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vënë nën vëmendjen e mediave botërore pasi prestigjiozja britanike The Telegraph ka raportuar akuza të rënda që e lidhin atë me të ashtuquajturat “sniper-safari” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996), ku të huaj të pasur dyshohet se paguanin për të qëlluar mbi civilët boshnjakë.

Sipas gazetës, Vuçiq dyshohet të ketë qenë i pranishëm në një nga pozicionet e forcave serbe mbi qytet, nga ku “turistët e luftës” supozohet se kanë shtënë mbi banorët e Sarajevës, transmeton lajmi.net.

Artikulli përmend edhe pamje video ku ai shfaqet si i ri në një automjet të terrenit, në bagazhin e të cilit gjendej një kafkë njerëzore me helmetë të paqeruajtësve të OKB-së.

Akuza të forta nga gazetari kroat Domagoj Margetiq

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka paraqitur padi në prokurorinë italiane, duke pretenduar se Vuçiq ka qenë anëtar i një njësie paramilitare të lidhur me Partinë Radikale Serbe në vitet 1992–1993, e vendosur në Varrezat Hebraike të Sarajevës — një pozicion i njohur si vend i snajperëve serbë.

Ai thotë se ka dorëzuar video, fotografi, audio e dokumente të kohës që sipas tij e lidhin Vuçiqin me krimet.

Reagimi i Beogradit: “Dezinformata të qëllimshme”

Mbështetësit e Vuçiqit thonë se objekti që shihet në videon e vitit 1993 nuk është pushkë, por tripodi i kamerës, pasi ai asokohe punonte si gazetar. Vetë Vuçiq pretendon se objekti ishte një ombrellë.

Zëdhënësja e tij, Suzana Vasiljeviq, i quajti akuzat “dezinformata të qëllimshme” që synojnë të dëmtojnë imazhin e Serbisë.

Hetimet në Itali për “turistët e luftës”

Prokurorët në Milano kanë hapur hetim pas informacioneve se italianë të pasur, bashkë me rusë dhe amerikanë, kanë marrë pjesë në “sniper-safari”, duke paguar për të shtënë mbi civilë boshnjakë. Këta “turistë lufte” dyshohet se janë lejuar të qëllonin nga pozicionet e kontrolluara nga milicitë serbe nën komandën e Radovan Karaxhiqit.

Një ish-diplomat italian, Michael Giffoni, konfirmoi për The Telegraph se ishte njoftuar për këto praktika në vitin 1994 dhe se shërbimi sekret italian kishte bashkëpunuar me inteligjencën boshnjake për t’i ndalur italianët të hynin në Bosnje.

Megjithatë, asnjë shtetas italian nuk u identifikua mjaftueshëm për të nisur procedim penal.

Ekspertët: Akuzat mund të jenë të vërteta, por kërkojnë prova të forta

Ekspertë të Ballkanit të cituar nga The Telegraph paralajmërojnë se megjithëse akuzat janë “të mundshme”, ato duhet të kalojnë filtrin e një hetimi transparent dhe ndërkombëtar.

Dr. Helena Ivanov tha se gjatë Luftës së Bosnjës qarkulluan shumë histori të rreme, prandaj akuzat duhet të provohen me standard të lartë.

Ndërsa analisti Jasmin Mujanoviq tha se ekziston “një sasi në rritje provash” që flasin për “safari njerëzore” të organizuara nga forcat nacionaliste serbe për turistë të huaj të pasur.

Lajmi për Vuçiqin bëhet ndërkombëtar

Raportimi i The Telegraph ka zgjuar interes global dhe është cituar gjerësisht në media të tjera ndërkombëtare. Artikulli e vendos Vuçiqin në qendër të një skandali të madh, duke shtuar presionin ndaj autoriteteve evropiane dhe ndërkombëtare për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë, Beogradi vazhdon të mohojë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar si sulme politike të orkestruara kundër Serbisë dhe presidentit të saj./lajmi.net/