The Guardian: Integriteti i EULEX-it në pikëpyetje

Për skandalin në EULEX, së fundi ka raportuar edhe prestigjiozja britanike “The Guardian”.

Lajme

05/11/2014 19:28

Gazeta shkruan se Bashkimi Evropian po përballet me krizën më të rëndë të politikës së jashtme të viteve të kaluara, pas akuzave të Maria Bamiyeh për korrupsion brenda EULEX-it. Më tej, “Guardian” shkruan se akuzat për korrupsion e kanë vënë në pikëpyetje integritetin e misionit më të madh të jashtëm të BE-së, që synon përforcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. 

“Misioni i EULEX-it ka kushtuar më shumë se një miliard euro, që kur u krijua më 2009 me premtimin për ndjekjen e ‘peshqve të mëdhenj’ në mesin e politikanëve të Kosovës, që akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar. Deklaratat e Bamiyeh, së bashku me publikimin e dokumenteve komprometuese në shtypin kosovar, e kanë fuqizuar përshtypjen e qytetarëve se EULEX-i është bërë pjesë e problemit, në vend se të jetë zgjidhja”, shkruan “Guardian”, përcjell koha.net. 

“Është bukur e turpshme që një organizatë që supozohet të jetë organizatë për sundimin e ligjit, vetë nuk e respekton sundimin e ligjit”, i ka thënë Bamieh gazetës britanike. “Cila është porosia që po i dërgohet Kosovës? Kosovës po i thuhet se nëse ka brenda organizatës njerëz që nxjerrin informata, atëherë duhet t’i godasësh ata fuqimisht”. 

Gazeta britanike shkruan se kritikat po ashtu janë përqendruar në mënyrën e trajtimit të aferës nga udhëheqësia e EULEX-it dhe se organizata “Reporterët pa Kufij” ka kritikuar misionin për “kërcënimin e gazetarit kosovar me ndjekje penale, në përpjekjet për ta penguar që të raportojë rreth skandalit”.