Thaçi toleron veprimet korruptive

Ramush Haradinaj thotë se Kryeministri Thaçi po toleron veprimet korruptive të vartësve të tij. Ai vlerëson se keqpërdorimet në institucione janë rritur dhe gjendja në Kosovë është më keq se në kohën e UNMIK'ut. Sipas tij, jemi në etapën “Bëje Zot llugë”.

Lajme

23/12/2013 13:08

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka kredituar Kryeministrit Hashim Thaçi fajin për gjendjen e rëndë në Kosovë.

Në një tryezë për sundimin e ligjit të organizuar nga AAK, Haradinaj thotë se doza e tolerancës sa i përket korrupsionit në Kosovë po rritet, e shkalla në të cilën ka arritur Kosova është më keq se në kohën e UNMIK’ut.

“Duke qenë se në të gjitha hallkat e jetës sonë, pa marrë parasysh a flasim horizontalisht në marrëdhëniet mes nesh, apo flasim vertikalisht në përgjegjësitë që i kemi, ose profesionale, ose kompetencat e caktuara ligjore, doza e tolerancës është duke u rritur, marzhi i keqpërdorimeve është rritur, e ne kemi mbërri në shkallën ku jemi, më keq se në kohën e OKB’së”.

“Kemi kaluar në njëfarë etape ‘Bëje Zot llugë’, shaji të gjithë dhe mos lë askënd pa sharë, në mënyrë që mos të dihet kush çka mbron, kush për çka qëndron, kush çka do të bëjë”.

“Mirëpo, nyja e të gjithë kësaj, apo hallka kyçe e sistemit tonë, është Kryetari i Qeverisë. Ai, është e vërtetë që nuk është gjyqtar e prokuror, as hetues e as polic, megjithatë ai është përgjegjësia e parë politike, ligjore, qeverisëse institucionale, në zbatim në atë që njihet si ekzekutiv”.

Nga konferenca e sotme e AAK’së për sundimin e ligjit

 

Sipas tij, mjafton që vetëm pak Thaçi të tregohet tolerant, e që kjo më pastaj të reflektojë edhe të ministrat dhe institucionet tjera. Ngjashëm, thotë ai, funksionon edhe me AAK’në.

“Nga doza e tolerancës së tij, nëse ai është tolerant 5% ndaj veprimeve korruptive ose të jashtëligjshme, ose të familjarizmit, ose lidhjeve të shkurtra, menjëherë shumëfishohet në shkallën nën të, tek ministrat dhe në nivelet tjera. Njëjtë është në çdo organizatë dhe njëjtë është edhe në Aleancë”.

“Do të thotë, kur flasim për duar të pastra dhe të lira, flasim për të gjitha nivelet realisht, jo vetëm të nivelit të Kryetarit të Qeverisë, të zyrës së tij, të ministrave, por kjo duhet të zbresë edhe në nivele tjera, përfshirë deri te mekanizmat sikurse që është Policia, Agjencitë, Bordet, në departamente të ndryshme të Ministrisë së Drejtësisë”.

Rifat Marmullaku, ekspert për çështje të policisë, tha se korrupsioni në vend ka mbërthyer shumë sfera, nga shëndetësia e deri te qeverisja qendrore.

Sipas tij, nganjëherë korrupsioni i kalon edhe perceptimet e qytetarëve.

“Përshtypja e parë që e krijon një lexues, një qytetar, vetëm me një klikim në Google rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar, është opinion shumë i keq. Aty ka epitete të cilat edhe i tejkalojnë perceptimet e qytetarëve”.

“Flitet për reforma në Polici të Kosovës, në Prokurori, në Gjykata e Administratë Publike e në shumë çështje tjera. Në anën tjetër, realiteti është ai që po e shihni për çdo ditë, ai që kemi korrupsion pothuajse në çdo fushë, duke filluar nga arsimit, shëndetësia, administrate publike, në qeverisjen qendrore, në nivele komunale e tjera”.

Ndërsa Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës ka thënë se legjislacioni që Kosova po e krijon, po krijon zbrazëti në procesin e prokurorimit publik e në vende tjera.

Sipas tij, në vendin tonë, korrupsioni bëhet në mënyrë legale.

“Kosova vazhdon të krijojë legjislacion, me këtë legjislacion ka krijuar zbrazëti në legjislacion, sidomos në procesin e prokurimit publik dhe në vende tjera. Dhe sot korrupsioni në Kosovë bëhet në mënyrë legale.”

“Gjatë takimit të fundit të Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit është folur diku për 400 mijë lëndë të cilat sot janë në prokurori edhe në gjyqësi. Janë diku rreth mbi 350 lëndë për afera korruptive, të cilat, institucionet shtetërore si Gjyqësia dhe Prokuroria nuk i kanë bërë prioritet për t’i zgjedhur por u arsyetonin me lëndë të cilat kanë të bëjnë me shkurorëzime me martesa e me divorce”, tha Kryeziu.