Thaçi thotë se Serbia s’mund të lëviz në drejtim të Kosovës, përmend edhe bashkimin kombëtar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media pas aksionit të policisë në disa pjesë të vendit.

Lajme

28/05/2019 11:26

Thaçi ka thënë se ky aksion ka për qëllim të luftojë të keqen dhe fenomenet negative.

“Aksioni është ndërmarrë për të luftuar të keqen fenomenet negative, është një aksion i ndërmarrë në një hapësirë të gjerë të Kosovës, ka të arrestuar zyrtarë dhe qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme është arrestuar edhe një rus i cili ka tentuar të pengojë policinë në aksionin e tyre”, ka deklaruar presidenti, raporton lajmi.net.

Tutje, ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që këtë çështje ta marrin si një ndërmarrje krejt normale për rend dhe ligj.

Ndërsa për deklarimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se forcat serbe do të ndërhyjnë në Kosovë, Thaçi ka thënë se kjo është e pamundur të ndodhë.

“Presidenti i Serbisë e dinë shumë mirë se nuk mund të lëviz në drejtim të Kosovës, është  e pamundur dhe e paimagjinueshme, por institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndërmarrin masa, madje edhe FSK”, ka thënë ai.

Thaçi edhe sot e ka përmendur bashkimin kombëtar.

“Serbia dhe Vuçiq ka menduar se Kosova s’mund të jetë e lirë dhe e pavarur, por ja që jemi. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian në proceset për Kosovën neve po na rritet vullneti që të ndodhë bashkimi kombëtar, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës. Askush nuk duhet t’i frikësohet bashkimit kombëtar”, ka përfunduar presidenti. /Lajmi.net/