Thaçi thotë se njohja e Kosovës nga Izraeli është vetëm çështje kohe
Në një intervistë për të përditshmen izraelite, Yedioth Ahronoth, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është përqendruar në luftën kundër terrorizmit dhe në çështjen e njohjes së Kosovës nga Izraeli.
Lajme
Gazeta izraelite thekson se Thaçi ishte lideri i Kosovës në rrugëtimin e saj drejt pavarësisë, duke u bërë kryeministri i parë i Kosovës, i cili negocioi me sukses Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në Bruksel. Si ministër i Jashtëm, ai vazhdon me përpjekjet e tij për të shpënë Kosovën drejt BE-së dhe NATO-s, si dhe i prin përpjekjeve në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit në përgjithësi.
“Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe është një rrëfim suksesi”, tha Thaçi. “Ne shpresojmë t’i bashkohemi NATO-s dhe BE-së, por ky proces është vonuar në Bruksel. Rusia ka përfituar nga këto vonesa për t’i avancuar synimet e saj politika, ushtarake dhe ekonomike në Ballkan. 109 vende, nga 193 shtete anëtarë të OKB-së, e kanë njohur tashmë Kosovën, por vetoja e Rusisë, aleates tradicionale të Serbisë, e ka penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se madje edhe Izraeli ende nuk e ka njohur Kosovën nga droja se një vendim i tillë do t’i shkonte përshtati kërkesës së Autoritetit Palestinez për pavarësi.
Thaçi ka thënë se në dy vitet e shkuara është shënuar një afrim mes qeverive në Jerusalem dhe Prishtinë. “Izraeli e mbështet Kosovën”, tha Thaçi, me shpresë se do ta vizitojë Izraelin së shpejti. “Ne e kemi ndërtuar një miqësi të mirë”, tha ai.
Thaçi theksoi se shqiptarët në Kosovë gëzojnë raporte të shkëlqyeshme tradicionale me popullin hebre. “Shqiptarët e Kosovës i kanë shpëtuar bashkatdhetarët e tyre nga komuniteti hebraik gjatë Holokaustit, dhe qeveritë tona inauguruan në Prishtinë një monument kushtuar hebrenjve të vrarë gjatë asaj periudhe. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta në shumë segmente” tha Thaçi.
Sipas shefit të diplomacisë së Kosovës, njohja e shtetit tonë nga Izraeli është vetëm çështje kohe. “Ne do të vazhdojmë të investojmë në raporte të mira mes dy vendeve dhe ne jemi të interesuar për bashkëpunim me Izraelin në fusha të ndryshme. Të gjithë investitorët seriozë janë të ftuar. Ne ofrojmë një mjedis më të mirë për biznes. Situata e sotme në Ballkan është më e mirë se kurdo më parë. Pas dekadave me luftëra, tani kemi arritur paqen”, përfundoi Thaçi.