Thaçi: Rritja e pagave, vetëm me vendim të veçantë të Qeverisë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se buxheti për vitin 2015 është buxhet i zhvillimit ekonomik. Duke folur për rritjen e pagave, ai tha se rritjet e tilla bëhen me vendime të veçanta të Qeverisë.
Lajme
Në një intervistë për Deutsche Welle, Thaçi tha se buxheti i vitit 2015 është buxhet i zhvillimit ekonomik dhe njëherësh buxheti më i lartë që ka pasur deri tash Kosova.
“Unë kam besim se do të kemi rezultate të mira dhe konkrete. Tash po e aprovojmë buxhetin e vitit 2015, që do të jetë buxhet i rritjes ekonomike, është buxheti më i lartë në historikun e Kosovës, do të jetë buxhet i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve dhe i krijimit të vendeve të punës, në buxhet janë përfshirë edhe projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit, ky buxhet do të ndikojë edhe në thellimin e reformave demokratike, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion dhe gjithashtu edhe sa i përket rritjes së pagave duhet kuptuar që kjo gjë mund të ndodhë me vendim të veçantë të Qeverisë dhe nuk ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme të përfshihet në buxhetin e vitit 2015 dhe buxheti i vitit 2015 është produkt i situatës së krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, pra pas atij ngërçi të panevojshëm dhe torturues që iu bë qytetarëve të Kosovës me bllokadën”.
I pyetur për vendimin e kryeministrit Isa Mustafa që të mos rriten pagat për 25 për qind, Thaçi ka thënë se ai gjatë kohës sa ishte kryeministër rritjen e pagave e ka bërë me vendim të veçantë të Qeverisë.
“Si kryeministër i vendit, i kam rritur pagat gjatë mandatit të parë, i kam rritur pagat dy herë gjatë mandatit të dytë, në fillim të vitit 2011, me vendim të veçantë të Qeverisë dhe po ashtu në maj të këtij viti, gjithashtu me vendim të veçantë të Qeverisë, kështu që rendi do ta dëshironte që rritja të ishte e përfshirë në buxhet, por rritja mund të ndodhë edhe me vendime të veçanta të Qeverisë. Tash jemi në fillim të qeverisë, duhet të koordinohemi, të bashkërendojmë angazhimet dhe vendimet, të cilat nuk do të mungojnë, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve”.
Duke folur për krijimin e Gjykatës Speciale, Thaçi tha se Kosova do t’i bëjë të gjitha adaptimet kushtetuese dhe ligjore të duhura për themelimin e kësaj gjykate.
“Kosova do t’i kryejë obligimet e veta karshi bashkësisë ndërkombëtare, do t’i bëjë të gjitha adaptimet kushtetuese dhe ligjore të nevojshme”.