Thaçi: Rrënjët e shtetësisë së Kosovës, të vjetra sa lidhja jonë me Vatikanin

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka deklaruar se rrënjët e shtetësisë së Kosovës janë të thella dhe të vjetra sa është edhe lidhja e shqiptarëve me Vatikanin.Për t’i thelluar marrëdhëniet me Selinë e Shenjë, zëvendëskryeministri i Kosovës ka shprehur gatishmërinë edhe për emërimin e një përfaqësuesi të Kosovës në Vatikan

Lajme

29/04/2015 16:04

“Nga terraca private e Ministrit të Jashtëm të Selisë së Shenjtë, një privilegj i rrallë ta shoh qendrën gravituese të Romës por edhe botës perëndimore. Rrënjët e shtetësisë të Kosovës janë të thella dhe të vjetra sa është edhe lidhja jonë me Vatikanin. HTH (Foto: Astrit Ibrahimi)”, ka shkruar Thaçi legjendën e një fotoje të postuar në Facebook, pas takimit me Monsignor Vincenzo Paglia”.

“Sot jam në Romën e lashtë dhe ditën e fillova me një takim të përzemërt me mikun e vjetër të Kosovës Monsignor Vincenzo Paglia, kryepeshkop dhe ministër për çështje familjare në Selinë e Shenjtë”.

“Biseduam për promovimin e dialogut ndërfetar, forcimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Vatikanit. E mirëpresim Monsignor Vincenzon e dashur në Kosovën martire. Do ta vazhdoj ditën me takime tjera të larta në Vatikan. HTH”, ka thënën Thaçi pas këtij takimi, ndërkohë që gjatë ditës pritet të ketë takime të tjera me autoritetet të Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe Monsignor Vincenzo Paglia
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe Monsignor Vincenzo Paglia

 

Thaçi ka takuar edhe sekretarin për marrëdhënie me shtete në Vatikan, Monsinjor Paul Gallagher.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, zëvendëskryeministri ka thënë se e çmon përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën në ndërtimin e një shoqërie mbi vlerat e tolerancës dhe bashkëpunimit.

“Pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe e stabilitet në rajon. Kemi marrëdhënie të mira me fqinjë dhe me Serbinë kemi nisur normalizimin e marrëdhënieve, një dialog ky për pajtimin mes dy popujve, si dhe kemi instaluar mekanizma që garantojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë”, citohet t’i ketë thënë Thaçi, sekretarit Gallagher.

Me sekretarin për marrëdhënie me shtete në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, zëvendëskryeministri Thaçi ka folur edhe për instalimin e instrumenteve për mbrojtjen e trashëgimisë historike, kulturore e fetare të të gjitha komuniteteve.

“Kemi Këshillin për Implementim dhe Monitorim që mbikëqyr mbrojtjen e kësaj trashëgimie të rëndësishme për Kosovën, por edhe tërë botën. Jemi duke përgatitur aplikimin për anëtarësim në UNESCO, që pritet të ndodhë në javët në vijim dhe kjo do të na ofrojë edhe një ombrellë tjetër për të ruajtur trashëgiminë fetare, historike e kulturore”, ka thënë Thaçi.

Për t’i thelluar marrëdhëniet me Selinë e Shenjë në Vatikan, zëvendëskryeministri i Kosovës, ka shprehur gatishmërinë edhe për emërimin e një përfaqësuesi të Kosovës në Vatikan.