Thaçi përshkruhet si themelues i UÇK-së, Prokuroria citon deklarata të Azem Sylës: Të akuzuarit patën rol të fortë kolektiv në Shtabin e UÇK-së
Sot ka filluar seanca e dytë me radhë në kuadër të deklaratave përmbyllëse nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë. Prokurorët kanë paralajmëruar se sot do t’iu duhen diku rreth 2 orë për t’i shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West do të mbajë një fjalë përmbledhëse. Më…
Lajme
Sot ka filluar seanca e dytë me radhë në kuadër të deklaratave përmbyllëse nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë.
Prokurorët kanë paralajmëruar se sot do t’iu duhen diku rreth 2 orë për t’i shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve dhe në fund, prokurorja e specializuar Kimberly West do të mbajë një fjalë përmbledhëse.
Më pas fjalën do ta ketë mbrojtësi i viktimave.
Prokuroria Speciale në Hagë e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.
Prokurori Matthew Howling, deklaroi se tanimë kanë folur për përgjegjësinë penale individuale, e siç thotë ai kontributi i i të akuzuarve duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur ata si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm.
Ai tha se “Nuk do përsërisë dosjen përfundimtare, por dua të kuptojmë aspektet e mbetura të provave që kemi në lidhje me përgjegjësinë e të akuzuarve. Do të fokusohem në disa prova dhe argumentet që ka bërë mbrojtja në dosjen përfundimtare”.
Më pas ai tha se do të fillojë me Hashim Thaçin.
Ish-presidenti Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës.
“Mbrojtja e Thaçit argumenton se ZPS s’ka argumentuar se Thaçi ka qenë një prej anëtarëve themelues të UÇK-së, apo anëtar i Shtabit të Përgjithshëm para 1998, Prokurori Triger foli për këtë por argumente në fakt nuk qëndrojnë.Mbrojtja e Thaçit keq orienton kur thotë se Azem Syla ka qenë në pozicion të dinte kush kanë qenë anëtarët fillestar të Shtabit. Kjo është në jo-përputhje me atë çka është thënë se Thaçi ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.Syla flet për diçka tjetër se çfarë konsideronte ai një takim themelues të UÇK-së në dhjetor të 1993”,shtoi Howling.
Më pas ai lëshoi edhe një dokument tjetër ku flitej për Tahir Zemajn.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova. Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.
Prokurorët, më pas, u janë referuar disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm ka deklaruar se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”.
Prokurori deklaroi se pra ky është një mesazh i qartë për ata që u pengonte kontrolli i UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe që kjo gjë mund të vërtetohet bazuar në mënyrën se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
“Të përshkruhen kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde, sepse ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh, të rrahësh persona në Qirez”./Lajmi.net/