Thaçi në Facebook arrin 253,494 “like”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi ka arritur shifrën prej mbi 250 mijë pëlqimeve në faqen e tij në Facebook dhe këto pëlqime vijnë nga shumë shtete të botës, madhe edhe nga ato më të largëtat. 

Lajme

13/07/2014 13:25

Rrjeti social Facebook është një prej rrjeteve sociale më të mëdha të kohës. Në të brenda një muaji ndërveprojnë mbi 1 milion e 300 mijë përdorues, ndërsa në total ka rreth 680 milionë përdorues.

Ata vijnë nga çdo cep i botës, ndërsa ndërveprimi mes vete është lehtësuar tej mase. Për shembull, dikush nga Kosova mund të hap një faqe në Facebook, dhe faqen e tij/saj mund ta pëlqejë dikush nga India apo edhe nga Filipinet.

Kjo gjë i ka ndodhur pikërisht kryeministrit në detyrë të Kosovës, Hashim Thaçit, faqja e të cilit ka arritur numër goxha të madh të ndjekësve, më saktësisht 253,494 sosh.

Por, në një analizë të thjeshtë të bërë nga Koha.net se prej nga i vijnë “liket” Thaçit, del se 51.5 për qind e tyre janë nga Serbia (info: shumë përdorues nga Kosova kanë të hapura profilet e tyre me vendbanime në Serbi, pasi që Kosova nuk ka qenë më parë e listuar si shtet i pavarur), e ndjekur nga Kosova, me 18.6, dhe Shqipëria, me 11.1 për qind.

Pas tyre vjen Gjermania me 3.1 për qind të pëlqimeve në faqe, e ndjekur nga Maqedonia me 2.5 dhe Zvicra me 2.3 për qind.

Ajo që bie në sy është se faqen e Thaçit e kanë pëlqyer edhe një numër i madh i qytetarëve nga Sllovenia, Monako, Republika Çeke e të tjera, mirëpo nga Turqia Thaçi ka vetëm 627 pëlqime, raporton Koha.net.

Në këtë listë ka edhe pëlqime nga vende të largëta, si India, Brazili, Australia, Afganistani, Pakistani, Filipinet etj.