Thaçi: Mos i harroni hebrenjtë që kontribuan për pavarësinë e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi ka përkujtuar kontribuesit për liri dhe pavarësi nga njerëz me prejardhje hebraike, duke thënë se Kosova nuk duhet të harrojë as hebrenjtë të cilët ishin pro pavarësisë së Kosovës.

Lajme

27/07/2014 13:51

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Thaçi ka përmendur presidentin e Izraelit, Shimon Perez, i cili këto ditë të fundit  ka përfunduar mandatin e tij presidencial,  duke thënë se ai ishte “përkrahës i pashoq” i pavarësisë së Kosovës.

“Këto ditë përfundoi mandatin presidencial një nga veteranët e politikës dhe paqe-bërjes globale, Presidenti Shimon Peres. U bë president i Izraelit më 2007, kur edhe u takova me të gjatë një vizite qe e bëra në Jerusalem dhe Tel-Aviv, me ftesë të shtetit izraelit. Nobelisti Peres edhe në atë kohë ishte përkrahës i pashoq i pavarësimit të Kosovës dhe shpesh ka spikatur publikisht pro-amerikanizmin e përbashkët të shqiptarëve dhe hebrenjve”.

“E mbaj në mend historinë e tij për shtet-ndërtim dhe paqe përkundër faktit që familja e tij në Poloni ishte zhdukur në Holokaust – krimin e pashoq në historinë moderne të njerëzimit”.

“Edhe tek sa lutemi për paqe në Lindjen e Mesme, Kosova duhet të ketë kujdes t’i çmojë kontribuuesit e lirisë dhe pavarësisë sonë nga populli hebre si presidenti Peres, kongresmeni i ndjerë Tom Lantos, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine K. Albright, kongresmeni Eliot Engel, senatori Charles Chuck Schumer e dhjetëra përfaqësues tjerë të popullit hebre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.