Thaçi kërkon hetim profesional nga institucionet për të zbardhur dyshimet për helmimin e zyrtarëve të KQZ-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin.

Lajme

14/10/2019 10:47

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur prej jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

Sipas një komunikate nga zyra e presidentit,  Thaçi kërkoi nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai u shpreh se është inkurajuese që të gjitha institucionet përgjegjëse i kanë marrë masat e duhura.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve.

Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.

Thaçi ftoi për përmbajtje deri në përfundim të hetimeve.

“Ftoj për përmbajtje nga deklarimet politike dhe nga raportimet e pakonfirmuara deri në përfundimin e hetimeve”, u shpreh presidenti Thaçi.