Thaçi kërkon dialog në mes të palëve në Maqedoni
Kryeministri Hashim Thaçi, ka kërkuar nga palët në Maqedoni që t’i zgjidhin problemet prëmes dialogut.

Lajme
Tre ditë pas fillimit të protestave në Shkup kundër dënimit të përjetshëm ndaj të akuzuarve për rastin “Monstra”, të cilat u përfshinë edhe në pjesë tjera të Maqedonisë, ka ardhur reagimi i Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi-t.
Përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e Kryeministrisë së Kosovës, kërkohet dialog mes palëve në Maqedoni për tejkalimin e problemeve.
Sipas deklaratës së Qeverisë, Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet me përpikëri për të shmangur dhunën ndër etnike.
Lexojeni të plotë deklaratën e Qeverisë:
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare, që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve.
Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni. Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin.
Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike.
Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetë zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t’i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare.
Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë.