“Thaçi kërcënohej nga ushtria serbe në kohën e Rambujesë – hynte e dilte nga Kosova përmes maleve”- thotë Rubin

Ish-diplomati amerikan, James Rubin ka treguar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe. Ndonëse ai tha se Thaçi nuk ia kishte thënë këtë, e kuptoi vetë nga atmosfera. “Nuk kam pasur asnjëherë prova personale apo një burim të veçantë që ai ishte i kërcënuar. Dikush në ekipin tim tha…

Lajme

16/09/2025 13:44

Ish-diplomati amerikan, James Rubin ka treguar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe.

Ndonëse ai tha se Thaçi nuk ia kishte thënë këtë, e kuptoi vetë nga atmosfera.

“Nuk kam pasur asnjëherë prova personale apo një burim të veçantë që ai ishte i kërcënuar. Dikush në ekipin tim tha që ai ishte kërcënuar, bisedoja me të a ishte e vërtetë apo jo, nuk më ka thënë kurrë se ishte, por ishte i tensionuar”, tha ai.

Rubin poashtu zbuloi si Thaçi duhet të hynte dhe të dilte nga Kosova, përmes maleve, kjo për shkak të mbrojtjes.

“Më kujtohet që më ka thënë sa e vështirë ishte që të hynte dhe të dilte nga Kosova, duke kaluar përmes maleve për mbrojtje. Kërcënimet ishin përgjithësisht nga forcat serbe, dhe e kishin kërcënuar me vdekje nga udhëheqja serbe. Ai ishte njeri me dinjitet, nuk donte të më thoshte se ishte i kërcënuar, por atmosfera ishte se ai ishte i kërcënuar nga forcat ushtarake serbe”, deklaroi Rubin.

Rubin theksoi se atmosfera në Rambuje ishte e ngarkuar dhe plot tension, duke shtuar se për UÇK-në vendimet ishin të vështira për shkak të presioneve të shumta dhe mungesës së garancive për pavarësinë.Konferenca e Rambujesë në Francë i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999.

Kjo konferencë synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.