Thaçi: Kardinali Troshani vazhdon rrugën e Imzot Engjëllit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përshëndetur si "lajm të mrekullueshëm" emërimin e At Ernest Troshanit Kardinal nga Papa Françesku.

Lajme

09/10/2016 19:46

 

“At Ernesti ka bërë Papën të qajë me rrëfimin e tij të burgosjes dekadore dhe torturave komuniste që ka përjetuar. Tani sot u emërua Kardinal, Princ i Kishës, duke vazhduar rrugën e Imzot Pal Engjëllit, autorit të fjalëve të para shqipe të njohura”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

“Ky emërim bëhet në prag të përvjetorit te 552-të të Formulës së Pagëzimit, dokumentit të parë shqip. Në vitin kur Nëna Tereze u bë e shenjtë. Me 5 nëntor do të beatifikohen edhe 38 martirë shqiptarë”, ka theksuar Thaçi në rrjetin social.

Presidenti kosovar ka uruar prijësit e komunitetit katolik në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe të gjithë besimtarët.

“Në fund, prezantimi i vlerave tona në cdo segment dhe në cdo tryezë do të shpalos historinë e gjatë të tolerancës fetare dhe të bashkëjetesës njerëzore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.