Thaçi: Kam pasur dijeni për grupin e Kumanovës, por s’kam gisht
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se ka qenë në dijeni për konfliktin në Kumanovë. Ai ka thënë se ka qenë i informuar shumë më parë për këtë situatë. Thaçi tregon se ka pasur takime edhe me njerëzit që kanë marr pjesë në këtë konflikt.

Lajme
Ai ka treguar se ka poseduar informacione për incidentin e Kumanovës, duke u bazuar edhe në rastin e Gushincës, por shtoi se nuk ka ditur gjithçka.
Duke e shpalosur rrëfimin e tij rreth ngjarjeve në Kumanovë, që ndodhën me 9 dhe 10 maj, si mysafir në emisionin Zona B në Klan Kosova, Thaçi ka mohuar se ka pasur gisht në organizimin e grupeve të armatosura, transmeton Klan Kosova.
“Sigurisht, kemi pasur informacione paraprake për shkak se ndodhi edhe rasti i Gushincës”.
“Unë e kam paraqitë këtë si shqetësim kur kam pasur mundësi, por prapë unë jam i limituar në instrumentet që mund t’i përdor”.
Ai i ka hedhur poshtë spekulimet se është organizator i konfliktit në Kumanovë.
“Ka spekulime morbide, aspak të vërteta. Këto teza janë tërësisht të padrejta dhe spekulime, duke tentuar të fshihet e vërteta”.
Thaçi tha se luftëtarët që morën pjesë në luftimet e Kumanovës nuk duhet të vlerëson nga prejardhja fizike, por çfarë prezantojnë ata politikisht.
“Vetëm fizikisht janë nga Kosova, por politikisht janë njerëz që e kanë drejtuar luftën e vitit 2001”.
“Në aspektin social dhe të rehabilitimit, ata kanë vazhduar të jenë problemi i Maqedonisë”.
“Problemi i Kumanovës është problem i Maqedonisë, Kosova nuk ka lidhje me ketë problem”.
“Djemtë e rënë në Kumanovë janë luftëtarët më të shkëlqyer që kishim”, pohoi Thaçi.
Sipas tij, Kosova duhet të ndihmojë në largimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së nga pushteti.
Mosshkuarjen në Kumanovë pas konfliktit të armatosur ai e ka arsyetuar me faktin se nuk deshi të shfrytëzojë situata kaq delikate për qytetarët, që të fitojë poenë politikë.
Menduh Thaçi ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë çfarëdo marrëveshje politike me Ali Ahemtin nëse ai do t’i plotësonte disa pika të domosdoshme.
“Nën një, shqiptarët dhe maqedonasit duhet të kenë status të njëjtë”.
“Nën dy, të bëhet ndarja e drejtë e buxhetit të shteti”.
Menduh Thaçi është i bindur se zgjidhja, pra dalja nga kjo krizë, është që shqiptarët të kenë status të barabartë me maqedonasit.
