Thaçi: Ka liderë politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kanë familjarë të vrarë si luftëtarë të ISIS-it

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka bërë akuza ndaj disa prej oponentëve të tij politikë që po keqpërdorin fonde duke bërë kështu që të jenë të pabarabartë në garën zgjedhore.

Lajme

22/01/2020 23:40

“Nuk ka dilema se nuk mund t’i rezistojmë. Ndoshta, BDI-ja që është parti në pushtet që 17-18 vjet i reziston, por opozitarizmi i vërtetë nuk i reziston këtyre mjeteve financiare. Kësaj i thon manipulim të vullnetit politik të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore”.

“Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse ne pranëjetojmë me sllavët dhe për ne krijohen performansa jashtëzakonisht negative. Nuk është e mundur që t’i fitosh njerëzit që qarkullojnë me miliona para para dhe gjatë fushatës, si dhe kontrollojnë media të caktuara”.

“Ka media në Maqedoninë Veriore që mua nuk më marrin parasysh që gati dy vjet, derisa ekspozojnë njerëz që nuk e kanë fuqinë politike që e ka PDSH-ja”.

“Në gjithë këtë situatë unë sikletin e skajshëm e kam që këto funksionojnë si magnet që tërheq keqkuptimet e të mëdhenjve. Një pjesë e këtyre kanë përdorur ndihma të ndryshme që kanë ardhë nga qeveria e Turqisë – dhe janë të mirëseardhura, sepse Turqinë e kemi shtet mik dhe do ta kemi”.

Ai në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se ka liderë politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kanë familjarë të vrarë si luftëtarë të ISIS-it, por nuk ka dashur të përmend emra.

“Tash këta kanë ndryshuar dhe janë bërë Davutoglu-ista. Nëse ne shqiptarët lejojmë që brenda nesh këto rryma të funksionojmë, ne do të penalizohemi. Nuk kemi nevojë të penalizohemi as nga Erdogani dhe as nga të tjerët. Duhet ta mbajmë këtë betejën e tyre jashtë nesh”.

“Vetëm shihni se çfarë ndodh në Siri – Irani, Hezbollahu. Janë manipulantë politikë që s’kanë të bëjnë me Islamin”.

“Po të analizosh familjet e tyre kanë pjesëtarë të familjes që janë vrarë si luftëtarë të ISIS-it”.

“Më vjen keq që nuk mund t’ia them emrin, por e dinë të gjithë. Është skandaloze – drejton një forcë politike”.

Por, megjithatë Thaçi më pas ka treguar se kujt i është referuar.

“Është kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Kunatin e ka të vrarë si pjesëtar të ISIS-it, derisa kryetari i Alternativës identifikohet me shiitët”.